Mandati për qeverinë e re, Thaçi: Atyre që mund të formojnë shumicën parlamentare

PRISHTINE, 22 prill /ATSH/ -Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se do t’ia japë mandatin atyre që mund të formojnë shumicën parlamentare, pasi që të gjitha subjektet politike, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, janë shprehur pro formimit të Qeverisë së re, duke mos shkuar në zgjedhje të reja.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit konsultativ me krerët e partive politike, ku nuk mori pjesë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, por që aty ishte anëtarja e kryesisë Albulena Haxhiu. Kjo e fundit akuzoi partitë e tjera se janë bashkuar për të luftuar Lëvizjen Vetëvendosje si parti e parë e dalë në zgjedhjet e tetorit.

Haxhiu tha se kjo parti nuk e ka refuzuar kërkesën e presidentit Thaçi për të emëruar mandatar të ri për kryeministër, teksa ka arsyetuar mos pjesëmarrjen e kryeministrit në detyrë në këtë takim, për shkak se ka marrë ftesën me vonesë dhe se e konsideron takimin jo serioz në kohën e përballjes me pandeminë.

Ajo me këtë rast ka lexuar letrën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhur me emrin e mandatarit, duke thënë se Kushtetuta nuk parasheh rolin e presidentit rreth propozimit të mandatarit dhe afatet kushtetuese për një gjë të tillë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur kundër shkuarjes në zgjedhje dhe për formimin e një qeverie të re.

“Si LDK jemi të gatshëm të sigurojmë shumicën si parti e dytë nëse ne na ofrohet kjo përgjegjësi”, tha Mustafa.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka akuzuar qeverinë në detyrë edhe për acarim të raporteve me SHBA, teksa ka shtuar se aspekti më i rëndë është situata në veri. Sipas tij, Qeveria në largim e kryeministrit, me hapat e ndërmarrë e ka bllokuar Kosovën dhe vetveten, dhe se të gjitha masat e ndërmarra paraqesin shkelje ligjore.

Ai përsëriti qëndrimin  e tij se kjo parti do të qëndrojë në opozitë.

“Kjo është situatë edhe më e rëndë, sesa kjo për të cilën po flasim sot aktualisht këtu. Kemi një situatë që është reale dhe edhe nëse dëshirojmë në zgjedhje nuk mund të shkojmë pasi kemi pandemi. Por në anën tjetër, edhe nëse duam, nuk mund ta lëmë këtë Qeveri… PDK do të jetë opozitë. As nuk pranon ftesa nga këta të cilët kanë shkuar, por as ata që do të vijnë”, tha ai.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur kundër zgjedhjeve të reja dhe pro formimit të një qeverie të re.

“Sa i përket AAK-së, s’jemi për shpërbërje të Kuvendit dhe shkuarje në zgjedhje për faktin që jemi në kohë krize e pa qeveri… Kuvendi ka obligim parlamenti në afat më të shpejt kohor t’ia kthejë vendit qeverinë me mandat të plotë, e cila të vazhdojë përballjen me pandeminë dhe pasojat e saj. Ne përkrahim formimin e Qeverisë në kuadër të këtij parlamenti, por edhe angazhimin e të gjithëve që të ballafaqohemi bashkë me pandeminë sot e me temat e së nesërmes”, tha  ai.

Edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj është shprehur kundër shpalljes së zgjedhjeve të reja në kohë pandemie dhe pro formimit të një qeverie të re.

“Ne si parti kërkojmë të respektohet Kushtetuta dhe besoj se sot këtu jemi me nenin 95 dhe jemi nga detyrimi i aktgjykimit i Kushtetueses, ku kërkohet nga presidenti të ftohen partitë për konsulta. Qëndrimi i Nisma jemi të gatshëm të participojmë në gjetjen e mundësive për të krijuar një shumicë të re për të vazhduar dhe drejtuar vendin”, tha Limaj.

Përfaqësuesi i AKR-së Fatmir Matoshi tha se kjo parti është për formimin e një qeverie të re për shkak të gjendjes aktuale me pandemi.

Edhe përfaqësuesit e partive të tjera nga radhët e komuniteteve janë shprehur kundër vajtjes në zgjedhje të reja.

Presidenti Thaçi në fund të takimit tha se duke respektuar në tërësi dhe përpikmëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do t’i japë mandatarin cilësdo parti apo koalicion që dëshmon se ka shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë e re.

“Unë do t’i jap mandatarin cilësdo parti apo koalicion që dëshmon se ka shumicën në Kuvend për të krijuar qeverinë e re. Nuk është në diskrecionin tim të propozoj kandidatin e tillë. Siç e dini të gjithë, Qeveria rrjedh nga fuqia mbizotëruese brenda Kuvendit. Prandaj propozimi duhet të vijë nga partia apo koalicioni që do të ketë gjasa më të mëdha që të formojë qeverinë”, tha ai./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.