Zhvillimi infrastrukturës rrugore rurale diversifikon bujqësinë, agrobiznesin e turizmin

TIRANË, 21 prill /ATSH/ 50 milionë USD është financimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri që do të lidhë fshatrat me qendrat bujqësore dhe do të diversifikojë agrobiznesin e turizmin.

Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, miratoi sot projektligjin ratifikimi i marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri, në shumën 50 milionë USD.

Objekti i këtij projekti është përmirësimi i infrastrukturës rrugore me impakt rritjen e zhvillimit ekonomik të zonave në bashkitë Vlorë, Lezhë, Shkodër, Librazhd dhe Peshkopi, si rezultat i përmirësimit të potencialit të tyre turistik dhe zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë.

Sektori i bujqësisë dhe ai i turizmit përfaqësojnë dy sektorë kryesorë në drejtim të
punësimit dhe të rritjes ekonomike në Shqipëri. Më konkretisht, projekti do të mbështesë zhvillimin e turizmit nëpërmjet krijimit dhe përmirësimit të aksesit drejt destinacioneve ekzistuese dhe të reja potenciale të turizmit, ofrimin e lehtësirave cilësore të orientuara nga turizmi (për shembull: vende parkimi për autobus turistikë, pika me pamje piktoreske dhe sinjalistikë përgjatë rrugëve në vendet e mbrojtura).

Tre segmentet rrugore që parashikohen të financohen nëpërmjet projektit janë, si më poshtë vijon: Rehabilitimi i rrugës ekzistuese “Uji i Ftohtë”–“Orikum”. Pjesë e rehabilitimit të këtij segmenti do të jetë edhe ndërtimi i dy bypass-eve që do të përmirësojnë qarkullimin (10,7 km); Ndërtimi i rrugës “Shëngjin”–“Velipojë” (12,4 km); Sistemim dhe asfaltim i rrugës “Zgosht”–“Ura e Çerenecit” (47,1 km).

“Të tre segmentet e sipërpërmendura u janë nënshtruar analizës së detajuar ekonomike.
Këto ndërhyrje të parashikuara vijnë në vijim dhe janë komplementare me projektin e rrugëve, lokale dhe rajonale, që shtrihet në periudhën 2018–2022, financuar nga Banka Botërore nëpërmjet një kredie me vlerën 50 milionë USD”, – thuhet në relacionin e këtij projektligji. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.