Tregues pozitivë në Bujqësi, Kote: Fermerët kanë siguruar vijimësinë e zinxhirit ushqimor

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Zëvendësministri i Bujqësisë, Dhimo Kote tha pasditen e sotme se Ministria e Bujqësisë ka marrë të gjitha masat për vazhdimin e zinxhirit ushqimor në kushtet e masave kufizuese për shkak të COVID-19.

Ai tha se se niveli i eksportit deri me datën 14 prill, krahasuar me vitin e kaluar, është në shifrat shumë të larta.

Kote u shpreh se kemi informacion me të gjithë grupet e fermerëve për problematikat që ka sot bujqësia nga situata e krijuar për shkak të COVID-19.

“Fermerët kanë qenë në vijën e parë të kësaj lufte, sepse janë marrë çdo ditë dhe kanë luftuar për furnizimin e tregut. Një pjesë e tyre për furnizimin me prodhime të serrave, prodhime perime e fruta dhe pjesa tjetër me furnizimin me qumësht dhe mish, ndërsa pjesa tjetër për të mbjellë kulturat siç është misri, pra kulturat e pranverës. Pra them se në këtë situatë, që quhet situatë lufte, ne kemi një informacion të saktë dhe duke e krahasuar me të dhënat e vitit 2019 jemi në të njëjtën situatë, në të njëjtën gjendje dhe me tregues pozitivë. Duke e ndjekur nga afër situatën kemi bërë të mundur që të vazhdojë i gjithë zinxhiri i prodhimit që nga serra, në pikën e grumbullimit, në tregjet shqiptare në të gjithë Shqipërinë dhe deri te konsumatori”, tha ai.

Në vijim Kote shtoi se “blegtoria ka një vit të mbarë këtë vit, sepse baza ushqimore ka qenë shumë e favorshme dhe e kaloi dimrin në kushtet më të mira shëndetësore dhe kjo falë natyrës. Një pjesë e prodhuesve të cilët nuk e shitën dot mishin e kecit dhe qengjat kanë marrë qumështin. Unë mendoj se produktet tona kërkohen në tregun shqiptar dhe shiten me çmim shumë më të lartë se ato që vijnë nga importi. Situata është e tillë, se duke u mbyllur një pjesë e hoteleve dhe restoranteve që kishin lidhur kontrata për ato produkte, kanë krijuar një ngërç të vogël, por në bazë të informacioneve, gjatë këtyre festave që kaluam, familjet shqiptare kanë marrë produkte të mishit shqiptar”, tha ai.

Kote shtoi se “Ministria Bujqësisë ka një plan të qartë sesi do të ecë bujqësia edhe pas kësaj situate që jemi, por dhe në vazhdimësi”.

“Sot në bujqësinë shqiptare vazhdojnë me intensitet të madh investimet për sa i përket ujitjes. Produktet shqiptare vijojnë në rritje normale për kultivimin dhe përpunimin. Vazhdon normalisht puna për ndjekjen jo të sigurisë ushqimore, por për ushqimin e sigurt. Vazhdojmë të kemi në vëzhgim situatën që nga serra, prodhimi, transporti dhe vajtja tek konsumatori. Vetë fermeri do të çojë tek autoritetet produktet që ka prodhuar dhe mekanizmat që ka ndjekur. AKU do të analizojë të gjitha produktet shqiptare, gati dyfish me vitin e kaluar”, tha Kote. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.