Sarandë/ Tregu i fruta-perimeve përmbush standardet, qytetarët respektojnë masat e sigurisë

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Tregu i fruta-perimeve në Sarandë përmbush të gjitha rregullat dhe standardet e parashikuara dhe përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave dhe në urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, i shoqëruar edhe nga Kryetari i bashkisë Sarandë, Adrian Gurma, inspektuan këtë treg në kuadër të masave të marra për situatën e COVID-19.

“Tregu përmbush rregullat dhe standardet e parashikuara duke respektuar distancën, përdorimin e maskave dhe dorashkave”, – bën të ditur prefekti Mamaj.

Sipas prefektit, bashkia e Sarandës ka vendosur edhe shenja vizuale për ruajtjen e distancës dhe dezinfektim të pandërprerë për çdo qytetar që frekuenton tregun.

Në tregun e fruta-perimeve në Sarandë është vënë në funksion edhe tuneli dezinfektues, për tregtarët dhe qytetarët që vijnë për të bërë pazaret e tyre.

Në qytetet kryesore të vendit në tregjet e fruta-perimeve po respektohen distancat e përcaktuara nga bashkitë, në kuadër të masave të sigurisë sa i takon mospërhapjes së koronavirusit të ri. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.