Komisioni i Ligjeve miraton zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor 2020

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Komisioni i ligjeve miratoi sot propozimin për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor 2020.

Në mbledhjen e zhvilluan online dhe të drejtuar nga kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja, ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Me shumicë votash, komisioni miratoi projektvendimin “Për propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendim nr. 243 datë 24.03.2020, të Këshillit të Ministrave” deri në datën 23.6.2020.

Pro këtij projektligji votuan shumica e deputetëve në Komision, ndërsa deputetët Alban Zeneli dhe Andi Përmeti abstenuan./m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.