ITALI – Conte prezanton planin për daljen graduale nga kriza si pasojë e COVID-19

ROMË, 21 prill /ATSH-AFP/ – Kryeministri italian, Giuseppe Conte njoftoi sot se do të detajonte para fundit të kësaj jave masat që vendi do të marrë për lehtësimin e kufizimit, për rifillimin e ekonomisë dhe për daljen graduale nga kriza si pasojë e koronavirusit.

“Do të dëshiroja të mund të thoja “do të hapim gjithçka”. Menjëherë. Do të rinisim nesër në mëngjes”, shkruan Conte në një mesazh të gjatë në rrjetin social Facebook.

“Por një vendim i tillë do të ishte i papërgjegjshëm. Ai do të rriste kurbën e përhapjes së koronavirusit në mënyrë të pakontrolluar dhe do të na hidhte poshtë të gjitha përpjekjet që kemi bërë deri tani”, shton ai.

Italia, vendi i Europës më i prekur nga koronavirusi, është në karantinë që prej 9 marsit, ndërkohë disa rajone të veriut i kanë vendosur më herët kufizimet. Periudha e karantinës, që është zgjatur dy herë do të përfundojë më 3 maj.

Qeveria po përpiqet për të shmangur një valë tjetër infektimesh nga virusi që ka shkaktuar më shumë se 24 000 të vdekur në Itali, ndërkohë që ekonomia do të ketë shumë dëme.

“Kjo qeveri e ka vendosur mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve në planin e parë, por sigurisht që nuk është e pandjeshme për objektivin përsa i përket ruajtjes së efikasitetit të  sistemit të prodhimit ”, shkruan Giuseppe Conte.

Ai shpjegon në mesazhin e tij vështirësitë që lidhen me “fazën 2” të rifillimit të vendit, duke specifikuar se ai do të komunikonte detajet për bashkëqytetarët e tij para fundit të kësaj jave.

“Ne mund të mendojmë në mënyrë të arsyeshme që do ta zbatojmë atë duke nisur nga 4 maji”, shtoi ai.

“Le të ndalojmë nga të qenit i ashpër me vendin tonë. E gjithë bota është në vështirësi. Ne mund të jemi krenarë për mënyrën se si i bëmë ballë kësaj prove shumë të vështirë”, shkruan kryeministri italian.

“Ne duhet të rihapemi në bazë të një politike, e cila merr parasysh të gjitha detajet dhe që përfshin të gjitha të dhënat. Një politikë serioze, shkencore”, nënvizon ai./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.