Amnistia fiskale, Bushati: Hap i duhur për të vënë në lëvizje ekonominë shqiptare

TIRANE 21 prill/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati deklaroi sot se amnistia e propozuar nga qeveria ka të bëjë më të gjithë shqiptarët që kanë punuar në vendet fqinje si emigrantë dhe nuk kanë patur mundësi të regjistrojnë kapitalet që kanë arritur të bëjnë me punë të ndershme.

Kjo amnisti, tha ai në një studio televizive, përjashton çdo kapital që vjen nga aktivitete kriminale, përjashton politikanët, gjyqtarët dhe policët.

“Është për çdo emigrant shqiptar, pra është një hap që ato të formalizojnë paratë e tyre për të hapur një biznes apo për të investuar në Shqipëri. Ne kemi një sërë iniciativash që kanë të bëjnë me investimet për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit, janë marrë shumë masa për të mbështetur biznesin, janë shtyrë pagesa të ndryshme, gjoba, etj., pra këto paketa janë bërë për të mbështetur ekonominë shqiptare dhe me këto ritme ekonomia shqiptare pritet ta marrë veten shumë shpejt”, deklaroi ai.

Ka disa kushte për të plotësuar këtë vendimmarrje, theksoi Bushati. E para, tha ai, Shqipëria nuk ka qenë ekonomi e formalizuar pas viteve ’90 dhe e dyta, ngjarjet që erdhën njëra pas tjetrës, e bëjnë më oportune për ta bërë tani këtë amnisti fiskale.

“Ekonomia shqiptare sot ka nevojë për çdo injektim parash për një rifillim dhe çdo iniciativë e tillë, duhet parë me pozitivitet. Ekonomia shqiptare nuk mund të funksionojë nëse nuk merr në mbrojtje shtresat, qytetarët dhe bizneset më në nevojë”, tha Bushati.

Qeveria, sipas tij, duhet të tregohet largpamëse dhe ta shikojë më gjerë situatën sesa thjesht një sektor.

“Duke parë shëndetin nga njëra anë dhe ekonominë nga ana tjetër, ato duhet të jenë të shëndetshme dhe duhet ta kalojnë këtë krizë. Nëse konsumatorët shqiptarë nuk dalin dot nga kjo situatë dhe dështojnë ekonomikisht, nesër nuk ka çfarë pune të bëjë biznesi sepse nuk do ketë konsumatorë”, nënvizoi Bushati.

Humbjet njerëzore në shoqërinë shqiptare, tha ai, janë në minimum dhe kjo tregon që masat dhe reagimi i shoqërisë ka qenë i lavdërueshëm.

“Kjo është java e parë e hapjeve dhe do shohim që gjërat do shkojnë shumë shpejt drejt progresit”, tha deputeti Bushati.

Sipas Bushatit, opozita ka thënë që në vitin 2013 se ekonomia shqiptare është e falimentuar, ndërkohë që në fakt ne kemi treguar të kundërtën.

“Sa herë bie rreziku, opozita ngre qepenin dhe del me teori të prapambetura. Shqiptarët mund të mos e pëlqejnë qeverinë, por nuk duhet të luajnë me jetën e tyre duke dëgjuar opozitën. Të dëgjosh sot opozitën, do të thotë të humbasësh jetë njerëzish. Opozita do të bënte mirë të ishte në një vijë me qeverinë, ashtu siç po bën opozita në gjithë botën”, deklaroi deputeti Bushati./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.