“Virusi nuk është as i kuq, as blu”/ Spiropali: Gjuhë të përbashkët me opozitën dhe presidentin

TIRANË, 20 prill /ATSH – I. Vata/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se kemi gjetur gjuhën e përbashkët me Presidencën dhe opozitën në këtë situatë të vështirë për shkak të pandemisë COVID-19.

Në një emision televiziv, duke folur për marrëdhëniet e qeverisë me presidencën, Spiropali tha se, “për sa i përket kësaj çështje, virusi nuk është as blu, as i kuq, nuk ka socialist, demokrat, nuk pyet për të tilla gjëra. Është një sfidë e madhe ndaj njerëzimit. Deri më tani ka kaluar 2 milionë numri i të prekurve nga virusi dhe mbi 140 mijë të vdekur. Pra është një katastrofë e vërtetë nga pikëpamja humanitare, por dhe nga pikëpamja ekonomike. Prandaj ne kemi nevojë për gjithë bashkimin e mundshëm por edhe për hulumtuar paketat ekonomike edhe për të qenë bashkë kur u drejtohemi qytetarëve kur janë në një periudhë të vështirë”.

“Qytetarë kanë nevojë ta shohin një ndjenjë përgjegjësie te të zgjedhurit e tyre”, tha ajo.

Në lidhej me bashkëpunimin me opozitës, Spiropali tha se “ne kemi bashkëpunuar gjithmonë. Kemi gjetur fjalën, jemi munduar shumë, kemi bërë gjithmonë thirrje për t’u ulur në tryeza, shpresojmë që kjo frymë të vazhdojë. Të gjithë jemi më të mirë në periudha të tilla. Ne po shohim dhe reagimet e qytetarëve në rrjet dhe ka një ndjenjë solidariteti të madh dhe shqiptarëve kjo nuk i mungon dhe kjo reflektohet dhe në politikë”. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.