SINGAPOR – Numër rekord rastesh me COVID-19, vendi i prekur nga një valë e dytë

SINGAPOR, 20 prill /ATSH-AFP/ – Singapori njoftoi sot një numër rekord prej më shumë se  1 400 rastesh të reja me COVID-19, zbuluar kryesisht në shtëpitë ku strehohen punëtorët migrantë në qytet-shtetit.

Vendi kishte arritur fillimisht të parandalonte përhapjen e virusit falë një strategjie shumë të rreptë të kontrollit dhe gjurmimit të kontakteve me personat e infektuar. Por tashmë është përballur me një valë të dytë që nga fillimi i prillit.

Autoritetet shëndetësore të qendrës financiare të Azisë Juglindore njoftuan sot 1 426 raste të reja të personave të infektuar me Covid-19, duke numëruar në total 8 014 raste dhe 11 të vdekur.

Numri i rasteve të reja është rritur në të gjithë vendin që me nisjen e fushatës së testimit në shtëpitë e tejmbushura ku jetojnë punëtorë migrantë, shpesh në kushte jo të mira.

Singapori ka rreth 200,000 punëtorë ndërtimi, kryesisht nga Azia e Jugut, të cilët ndërtojnë kullat dhe qendrat gjigande tregtare të shtetit të pasur për rreth 400 deri në 500 dollarë në muaj./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.