Nga sot nis testimi serologjik, procedura sesi do të kryhet

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Duke nisur nga sot, në Shqipëri do të aplikohet një testim i ri për identifikimin e koronavirusit, testi serologjik.

Drejtorja e sektorit të promocionit në Institutin e Shëndetit Publik, Gentjana Qirjako në një nga mediet e vendit u shpreh se testi serologjik është një metodë për të matur nivelin e infeksionit në vend.

“Testet serologjike janë teste që konsistojnë në një analizë gjaku. Synimi kryesor i tyre është të tregojnë nëse një person ka krijuar antitrupa pasi COVID-19 ka hyrë në organizmin e tij. Janë teste që lejojë të kuptohet se si është situata e infeksionit në vend. Nëse një person ka antitrupa, presupozohet se ai është i mbrojtur edhe pse nuk dihet saktësisht për sa kohë zgjat qëndrimi i antitrupave. Kryhet si një test i zakonshëm gjaku, por ka si synim zbulimin e antikorpeve. Zakonisht antitrupat formohen pas javës së parë të infektimit. Antitrupi i parë që formohet pas ditës së 8 është imunoglubolina M dhe prania e saj tregon se individi është infektuar momentalisht dhe shkalla e infeksionit është e lartë, pra ai ka transmetueshmëri të lartë, ende është ngjitës”, tha Qirajko.

Pas ditës së dhjetë formohet imunoglobulina G që tregon reagimin e organizmit ndaj virusit dhe në momentin që ajo shfaqet është një shenjë pozitive pasi tregon që shkalla e infeksionit ka ardhur duke rënë”, tha mjekja. Ajo theksoi se këto teste do të bëhen fillimisht tek mjekët, pastaj tek forcat e rendit e më tej në popullatë.

Testi serologjik është si një test i zakonshëm gjaku dhe synon gjurmimin e antitrupave që tregojnë sa i mbrojtur është një person që e ka pasur infeksionin në trup. Testimi serologjik do të kryhet në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT, nga ekspertët e ISHP-së.

z.tosku/ /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.