Nga sot lejedaljet për arsye shëndetësore përmes e-Albania, qytetari duhet të ketë me vete një dokument mjekësor


TIRANË, 20 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama informoi sot qytetarët se nga sot në “e-Albania” do të lëshohen edhe lejedaljet për arsye shëndetësore, ndërsa paralajmëroi se “qytetari duhet të ketë me vete një dokument mjekësor për vizitën”.

Rama tha se “qytetarin mund ta shoqërojë vetëm një person tjetër”. “Autorizimi vlen vetëm për rrugën shtëpi-Qendër Shëndetësore-shtëpi, Ndiqni procedurën e thjeshtë në e-Albania”, tha Rama.

Ai shtoi se “aplikimi do të kryhet përmes shërbimit online “Leje për dalje“ për arsye shëndetësore, në e-Albania”.

Kryeministri tregoi edhe hapat që ndiqen për të marrë një leje të tillë. “Identifikohuni në portalin e-Albania përmes llogarisë tuaj; klikoni shërbimin “Leje për Dalje”; zgjidhni opsionin “Leje për arsye shëndetësore”; shkruani saktë datën, orën e lëvizjes dhe itinerarin me destinacionin përkatës”, tha Rama.

Në rastet kur lëvizja për arsye shëndetësore do të bëhet me automjet, Kryeministri tha se “nëse mjeti është në pronësinë e aplikuesit, do t’ju shfaqet direkt në listë”. “Nëse jo, ju mund të shtoni manualisht të dhënat e mjetit: targën dhe numrin e shasisë së tij dhe shtypni “Dërgo” për të përfunduar aplikimin”, tha Rama.

Ai shtoi se “miratimi do të dërgohet në adresën e-mail dhe në numrin e telefonit të regjistruar në portal”.

“Kërkesa për leje për arsye shëndetësore bëhet vetëm në e-Albania. Ata, që lëvizin pa lejen nga e-Albania dhe nuk zotërojnë dokument mjekësor për të justifikuar lejedaljen për arsye shëndetësore, kryejnë një shkelje që ndëshkohet në bazë të Aktit Normativ dhe masave të reja në Kodin Penal”, tha Rama./m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.