Ndihma ndaj Italisë përballë COVID-19/ 60 infermierët shqiptarë: E ndjejmë moralisht të jemi aty ku ka nevojë

TIRANË, 20 prill/ATSH/ 60 infermierët që u nisën sot drejt Italisë, pjesë e ekipit të dytë vullnetar në luftën kundër “armikut të padukshëm” COVID-19, u shprehën se kanë pranuar menjëherë të jenë në vijën e parë, përkrah kolegëve të tyre italianë.

Hipokrati, një mjek grek që njihet nga të gjithë si babai i mjekësisë, shkroi betimin hipokratian. Parimet e larta etike që gjenden në këtë betim ende udhëheqin profesionin e mjekut e infermierit.

“Zgjodha të shkoj infermiere vullnetare, pasi Italia po përballet me një gjendje të vështirë dhe dua të jap ndihmën time”, shprehet njëra nga infermieret.

Ndërsa një infermier shprehet se menjëherë sapo ka marrë propozimin ka pranuar.
“Sapo u informova pranova direkt”, thotë ai.

“Profesioni ynë është pjesë e humanizmit. Do të tregojmë veten tonë në këtë luftë përballë armikut të padukshëm. Çdo njeri që ka kryer studimet për infermieri a mjekësi e ndjen moralisht se duhet të jetë aty ku ka më shumë nevojë“, shprehen të tjerë.

Një tjetër thotë se shumë të afërm të saj jetojnë në Itali dhe ndoshta edhe ata kanë nevojë për ndihmë.

“Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të njerëzimit”, është përmbajtja e betimit të Hipokratit, ligji moral i mjekëve dhe infermierëve./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.