Ndihma me ekipe mjekësore për Italinë/ Ambasadorja amerikane në NATO sjell shembullin e Shqipërisë

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë sot jehonë ndihmës me mjekë dhe infermierë që Shqipëria i ka dhënë Italisë për të kaluar situatën e pandemisë së koronavirusit COVID-19.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim ka publikuar sot një video të ambasadores së SHBA në NATO, Kay Bailey Hutchinson.

“Ndërsa Aleatët e NATO-s bashkohen për të luftuar COVID-19, falënderime të veçanta për Shqipërinë për dërgimin e mjekëve në Itali (në 0:38). Ne jemi NATO”, është shprehur ambasadorja Kim, e cila ka falënderuar edhe Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Në video ambasadorja e SHBA në NATO, Kay Bailey Hutchinson është shprehur se, “lidhja jonë si aleatë të NATO-s mbetet e pathyeshme dhe së bashku do të mbizotërojmë”.

“Javët e shkuara kemi parë shumë histori inspiruese sesi aleatët bashkëpunojnë në këto kohë të vështira. Doktorë kanë udhëtuar nga Shqipëria dhe Polonia për të ndihmuar kolegët e tyre italianë”, ka theksuar ambasadorja Hutchinson.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.