KANADA – 17 viktima, vrasja më masive në historinë e vendit

MONTREAL, 20 prill /ATSH-DPA/ – Një person i armatosur dhe i maskuar si polic vrau të paktën 16 persona në një sulm 12-orësh, që filloi të shtunën në mbrëmje në të gjithë Skocinë e Re rurale, në bregdetin atlantik të Kanadasë, në atë që është vrasja masive më e madhe në historinë e vendit.

Komisarja e policisë, Brenda Lucki, kreu i Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP), deklaroi se një oficer policie dhe i dyshuari për këtë akt ishin mes viktimave.

Dje në mbërmje vonë, zyra e Luckit konfirmoi se të paktën 17 njerëz vdiqën, përfshirë edhe të dyshuarin.

Zyrtarët e RCMP në Skocinë e Re thanë se hetimi i tyre ishte në vazhdim dhe numri i viktimave ka të ngjarë të rritet.

Ngjarja në Skocinë e Re është më e rënda që nga 6 dhjetori i vitit 1989, kur një njeri i vetëm qëlloi për vdekje 14 studente në shkollën politeknike të Montrealit.

”Ështe shumë herët për të gjetur motivin e ngjarjes, por incidenti nuk duket të ketë lidhje me terrorizmin”, theksoi Lucki./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.