FOKUS – Për herë të parë Holokausti përkujtohet online

TEL AVIV, 20 prill /ATSH-DPA/ – Presidenti i Izraelit dhe kryeministri i tij i përkohshëm do t’u drejtohen sot qytetarëve, si pjesë e një ceremonie shtetërore që shënon fillimin e Ditës  Përkujtimore të Holokaustit, me një fjalim të regjistruar për shkak të bllokimit nga koronavirusi.

Pas fjalimeve të Reuven Rivlin dhe Benjamin Netanyahu, gjashtë të mbijetuar të Holokaustit do të shihen duke ndezur pishtarë në kujtim të gjashtë milionë hebrenjve që u zhdukën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

”Lutjet nga rabinët kryesorë të Izraelit dhe një mesazh për të mbijetuarit gjithashtu do të shfaqen online”, sipas institutit për Holokaustin, i quajtur ndryshe edhe si Yad Vashem.

Yad Vashem ka ftuar publikun të marrë pjesë në një fushatë ndërkombëtare të medieve sociale për të recituar emrat e viktimave të Holokaustit, me videot e regjistruara që do të ngarkohen nën hashtag-et #RememberingFromHome dhe #ShoahNames.

Sipas Ministrisë izraelite të Financave, rreth 192 000 të mbijetuar nga Holokausti, me moshë mesatare 84 vjeç jetojnë ende.

Izraeli tradicionalisht shënon ditën e vet të Holokaustit në ditën e 27-të të muajit hebre të Nissanit, një javë para Ditës së Pavarësisë, dy për t’u festuar këtë vit më 29 prill nën kufizimet e Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të koronavirusit.

Edhe dje, 75-vjetori i çlirimit nga trupat aleate të kampeve naziste të përqendrimit në Bergen-Belsen, Sachsenhausen dhe Ravensbrueck, në prill 1945, nuk u përkujtua pothuajse fare për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ndalimi aktual në Gjermani i tubimeve publike do të thotë edhe ndalim i përkujtimit të  ngjarjeve madhore për të shënuar çlirimin e kampit të përqendrimit Bergen-Belsen nga ushtarët britanikë, 75 vjet më parë këtë javë, më 15 prill 1945.

Kryeministri i shtetit të Saksonisë së Poshtme, Stephan Weil shënoi përvjetorin me fjalë paralajmëruese për qytetarët gjermanë.

“Bergen-Belsen është dhe mbetet një plagë e hapur në historinë tonë”, tha Weil dhe bëri thirrje për veprim të vazhdueshëm kundër antisemitizmit dhe racizmit.

“Ne i përkujtojmë viktimat me trishtim të thellë dhe me turp”, shtoi Weil.

Fotografitë e rreth 10 000 të burgosurve të zhveshur të gjetur në kampin buzë Lueneburg Heath, tmerruan botën në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Midis të burgosurve të luftës dhe të të burgosurve të kampit të përqendrimit që vdiq atje ishte 15-vjeçarja Anne Frank, ditari i botuar i së cilës e bëri atë të famshme në botë.

Ndërkohë, një ceremoni e vogël u mbajt në Berlin për të përkujtuar 75-vjetorin e çlirimit nga trupat sovjetike të kampeve të përqendrimit Sachsenhausen dhe Ravensbrueck./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.