COVID-19/ Rezultate fantastike deri tani, të përgatitemi të bashkëjetojmë me virusin

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se si rrjedhojë e vendimeve dhe masave që u ndërmorën nga qeveria, të sugjeruara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për përballimin e situatës së shkaktuar nga infeksioni COVID-19, deri tani rezultatet janë fantastike.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të ngritura në medie se piku i infeksionit prezent në vend ka qenë para sesa të deklarohej zyrtarisht, Kryeministri Rama tha se unë i besoj shumë opinioneve që marrim nga Komiteti i Ekspertëve, sepse rezultatet deri tani janë fantastike dhe ata nuk e kanë thënë një gjë të tillë.

“Shqipëria është një nga rastet më shembullore të përballjes me numrin më minimal të humbjes së jetës dhe me barrën më të lehtë të vuajtjeve dhe të plagëve shëndetësore, sepse është drejtuar i gjithë procesi në këtë luftë me hapat e duhur dhe vendimet e duhura. Vendimet i ka marrë qeveria, por i ka sugjeruar Komiteti Teknik. Natyrisht është vullneti ynë politik për t’i ekzekutuar. Nuk e kam dëgjuar nga komiteti ynë i ekspertëve. Kemi hyrë në kurbën e sheshtë”, vuri në dukje Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se hapja ka risk, por nuk ekziston një skenar, që po ta presim të mbyllur virusin do të zhduket dhe se është e pamundur teorikisht që të kemi zero infektime të zbuluara.

Më tej, ai deklaroi se është rritur edhe numri i testimeve çdo javë duke ndjekur këshillat e Komitetit Teknik.

“Ne kemi rritur numrin e testimeve çdo javë duke ndjekur ekspertët dhe tani jemi në fazën e gjurmimit edhe tek asimptomatikët, duke u bazuar te kontaktet. Nëse nuk del vaksina, virusi do të jetë vërdallë e kërcënim potencial. Është e rëndësishme që hapja të shoqërohet me masa drastike dhe penalizime. Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm të ruajnë veten dhe të tjerët”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se s’duhet të suprizohemi nëse shohim rritje të numrave, por të përgatitemi të jetojmë me virusin, sikurse në rast se shohim një kurbë tjetër duhet të kthehemi sërish në llogore./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.