Amnistia fiskale nismë shqiptare, konsultim edhe me ekspertë të huaj

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “për amnistinë fiskale janë bërë të gjitha diskutimet e nevojshme me të gjithë rrethin e njerëzve të ditur të ekonomisë dhe financave jashtë vendit, por edhe në nivele më të larta të autoriteteve europiane, por në të gjitha rastet kjo është një nismë shqiptare dhe do ta bëjmë, pavarësisht se çfarë thonë të tjerët”.

“Për draftin ne kemi bërë të gjitha diskutimet e nevojshme me të gjithë rrethin e njerëzve të ditur të ekonomisë e financave jashtë vendit që na konsultojnë vijimësisht. Kemi diskutuar edhe me të tjerë, e kam bërë edhe përpara, kur përgatiteshim për planin B për rindërtimin, në rast se nuk do të arrinim dot të krijonim mbështetjen financiare edhe në nivele më të larta të autoriteteve europiane. Por në të gjitha rastet kjo është një nismë shqiptare dhe do ta bëjmë pavarësisht se çfarë thonë të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “amnistinë fiskale e kemi lançuar përpara se të krijohej kjo situatë me koronavirusin dhe ishte e lidhur në atë kohë edhe me mundësinë që të shërbente si një nga instrumentet e planit B të Rindërtimit”. “Nuk na u desh të shkojmë te plani B, por pavarësisht rindërtimit ose jo, amnistia është një lëvizje e domosdoshme politike dhe ekonomike në kushtet e një shoqërie që prej 30 vitesh nuk ka pasur mundësi të formalizojë paratë”, tha Rama.

Duke folur për amnistinë, Rama ritheksoi se “ajo përjashton kategorikisht produktet e aktivitetit kriminal apo korrupsionit për të derdhur në bankë para të padeklaruara, të subjekteve që janë subjekt i vetëdeklarimit të pasurisë, përjashtohen të gjithë ata që janë subjekt në administratën shtetërore”.

Rama tha se “të gjitha bizneset pa përjashtim janë objekt dhe subjekt i kësaj nisme që do të shtrihet sipas draftit, por rrugës ne do të dëgjojmë, siç bëjmë gjithmonë, për të bërë edhe axhustimet e arsyeshme”.

Kryeministri theksoi se “amnistia shtrihet në 3 fasha me periudha 4-mujore”. “Në fashën e parë do të ketë komision 5% kur deklaron shumën përkatëse të kursimeve të tua që deri tani i ke mbajtur nën jastëk, në të dytën 7% dhe në të tretën 10%”, tha Rama. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.