“S’ka fshehje të realitetit në Shkodër”/Rakacolli: Rastet u zbuluan nga hetimi i hollësishëm epidemiologjik, personat nuk kishin shenja të sëmundjes

TIRANË, 19 prill/ATSH/Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi sot se rastet me COVID-19 në Shkodër janë zbuluar falë hetimit epidemiologjik pasi personat e infektuar nuk kishin shenja klinike të sëmundjes së koronavirusit.

Gjatë një interviste televizive, Rakacolli u shpreh se “situata në Shkodër është transparente dhe se nuk po fshihet asnjë realitet sikurse PD-ja ka deklaruar më herët”.

Sipas saj, raste me COVID-19 në Shkodër nuk kanë ardhur vetë por janë zbuluar falë hetimit epidemiologjik të hollësishëm.

‘Lidhur me situatën e Shkodrës nuk ka asnjë arsye që të fshihet realiteti, përkundrazi është e kundërta. Rastet që janë gjetur në Shkodër, janë gjetur rastet nga hetimi epidemiologjik. Pra, një pjesë e atyre rasteve që janë të infektuar me koronavirus, nuk kanë paraqitur asnjë shenjë. Pra, nëse nuk do të kishte shkuar personi i shëndetësisë që është përgjegjës për hetimin epidemiologjik, ato raste nuk do të ishin zbuluar. Pra, ato janë zbuluar falë hetimit epidemiologjik. Këtu ka ndodhur e kundërta, pra jo akuza që po fshihen rastet por kanë dalë rastet. Rastet në Shkodër nuk erdhën vetë për t’u testuar, rastet u gjetën’-tha Rakacolli.

Më tej, ajo sqaroi se “ në lidhje me rastin që humbi jetën, ministria e Shëndetësisë ka bërë një deklaratë të plotë zyrtare dhe të përgjegjshme. Shumë të përgjegjshme dhe dihet siç ishte rasti, qoftë për respekt të kujtimit të personit që vdiq, qoftë edhe për familjarët e tij nuk është mirë që të bëhen më tepër publikisht të dhëna sesi ishte ai rast. Por e theksoj edhe njëherë që deklarata e ministrisë së Shëndetësisë është tërësisht e përgjegjshme dhe reale’. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.