COVID-19/ Situata e epidemisë e kontrolluar, koha të fillojë lirimi i masave të forta

TIRANË, 19 prill/ATSH/Ndërsa numri i të shtruarve me COVID në spital është në rënie dhe gjendja e pacientëve të infektuar paraqitet e mirë, këto janë shenja të cilat tregojnë se pas javës së shtatë të epidemisë, masat e ndërmarra nga qeveria do të lehtësohen nga pak.

Kështu u shpreh zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli e cila argumentoi se edhe pas lehtësimit të masave, nëse ndryshon dinamika dhe situata për keq, atëherë mund të ketë edhe tërheqje të lehtësimit të masave.

‘Siç e kanë treguar edhe numrat e tanishëm, situata është e kontrolluar. Asnjëherë jashtë atyre shifrave që na bënin të shqetësoheshim e të ndodheshim përpara një situate që do të sillte një numër të madh të sëmurësh. Pavarësisht luhatjeve të vogla në numër, këto gjëra interpretohen në kuadrin e numrave të mëdhenj, në kuadër të numrit të popullsisë , numrat janë po njësoj. Situata vazhdon të mbetet e kontrolluar. Gjëja që është shumë pozitive është fakti që kemi një rënie të numrit të të shtruarve në spitale. Pra, me këtë që po fillon tani, pra java e 7-të tashmë e pandemisë, me këtë fillon të matet realiteti. Numrat e të shtruarve në spital kanë ardhur vazhdimisht në rënie. Kryesorja është që shumica e të sëmurëve nuk janë të sëmurë në gjendje të rëndë. Vazhdojnë të mbeten në repartet e kujdesit intensiv, vazhdojnë të mbetet një numër jo i madh pacientësh që kanë nevojë për këtë lloj përkujdesje. Pra, shenjat e mira të dominimit të epidemisë janë pikërisht shenjat e numrave të sëmurëve që kanë nevojë për kujdes spitalor.

Rakacolli tha se aktualisht të sëmurë me COVID-19 që janë të intubuar janë vetëm 3 pacientë.

“Numri i qëndrueshëm i të infektuarve të rinj, gjendja pak a shumë e mirë e të infektuarve dhe numri i ulët nëpër spitale janë premisa që tregojnë që masat mund të fillojnë të lirohen.

Ajo tha se do të gjykohet situate në varësi të dinamikës së situatës, ku mund të ndodhë që pas lehtësimit të masave për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve mund edhe të rikthehen masat e izolimit.

“Nga analizat e hollsishme që është bërë, është koha t’i propozohet, pra të fillojmë lirimin nga këto masa kaq të forta që janë marrë’.

E pyetur mbi rastet në një fasoneri në Krujë, Rakacolli u shpreh se “në çdo lloj aktiviteti të mbajtur hapur si në spitale dhe aktivitete të tjera që janë gjykuar që mund të jenë të hapura, janë propozuar dhe kontrolluar marrja e mjeteve mbrojtëse. Pra, çdo punë që është bërë në lidhje me përdorimin e mjeteve mbrojtëse personale siç janë distancimi fizik, përdorimi i maskave, dorezave dhe gjithçka tjetër që lidhet me procesin e punës” ndërsa shtoi se “po bëhet një hetim i hollësishëm epidemiologjik si në fasoneri, ashtu edhe nëpër shtëpia. Ashtu siç po bëhet në familje, ashtu siç po bëhet në çdo vend në të cilin vlerësohet një person i infektuar me koronavirus’. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.