Braçe: Ku i çuan paratë të pasurit tanë që veç për 5 javë i kërkojnë para qeverisë

TIRANË, 19 prill /ATSH – I. Vata/- Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar në lidhje me kërkesën që biznesi i madh i bënë qeverisë për pra në situatën e pandemisë me COVID-19, si dhe i kërkon të pasurve të shkurtojnë luksin dhe jo rrogat e punëtorëve pasi do përballen me Kodin e Punës para drejtësisë.

Braçe shprehet se “secili pjesën e tij në faturë, kriza jo veç mbi punëtorët e qeverinë! Edhe mbi fitimet! Bizneset i ndajnë sipas xhiros së aktivitetit apo ndërmarrjeve të tyre në këtë vend; deri në 2 milionë lekë, në 14 milionë lekë, mbi këtë nivel, ka dhe VIP-a më pas; pronarët e tyre, veçanërisht kategorinë VIP, i asociojnë ose me panairin e makinave të luksit në Tiranë, ose me panairin e vilave në Lalez, Qerret, Palasë!”.

“Unë nuk e di se kujt sipërmarrësi, fëmijë të tij, i përket ku luks rrugës, – më duket se mungon një McClaren në listë, – por e di fare mirë që ky luks nuk përfaqëson mijëra sipërmarrës edhe të pasur që çdo gjë e kanë me punë, djersë, sakrifica, garë e konkurrencë, ligjërisht, krejtësisht modest, që nuk ia lejojnë vetes, familjes, këtë luks banal, edhe pse me xhiro mbi 14 milionë lekë!”, thekson Braçe.

Ai tha se “fasha e biznesit VIP ka çelur dy panaire të rinj në Tiranë, të lidhur me njëri-tjetrin; njëri, ai i kërkesave për para drejtuar qeverisë, deri tek kërkesa e pamend që qeveria të presë para, tjetri, ai i punëtorëve të papunë të dorëhequr me zor e përzënë me dhunë, shtyrë drejt qeverisë. Në fakt një pyetje më vjen në mend prej ditësh, ku i çuan paratë të pasurit tanë, aq sa për 5 javë, veç për 5 javë i kërkojnë para qeverisë?! Shikoni, unë mendoj se kjo krizë përballohet me punëtore, sipërmarrës, qeveri-bashkë, duke marrë secili pjesën e tij të përgjegjësisë e faturës. Gjithkush duhet të kuptojë se fatura vetëm mbi qeverinë, sidomos në skemën – 0 taksa dhe para për ne, biznesin, është faturë mbi të gjitha, të varfrit e të mesmit më shumë”.

Ndaj, shton Braçe, ndërmarrje që përfituan nga favori fiskal i reduktimit të tatimit mbi të ardhurat nga dividenti (janë 4100 ndërmarrje të mëdha të listuar), ndërmarrje që nuk respektojnë Kodin e Punës, ndërmarrje që nuk kanë gjendje të madhe likuiditeti, ndërmarrjet që në dy vitet e fundit kanë raportuar normë të lartë fitimi e që në dy vitet e fundit kanë transferuar fitimin e tyre jashtë, ndërmarrje që deklarojnë tani aktivet të ndryshëm nga ai i regjistruar në QKR për qëllime evazioni, ndërmarrje që deklarojnë në zyrat e pagesës së papunësisë më shumë se 50% të punonjësve të tyre, nuk duhet t’i bëhen barrë buxhetit të shtetit”.

Braçe shton se nuk është koha për të fituar edhe më shumë para.

“Kanë vepruar në kundërshtim me Kodin e Punës kur kanë larguar punëtorët e tyre nga puna, duhet të bëjnë pas e të marrin përgjegjësi ligjore e financiare siç Kodi i Punës ju kërkon. Kodi i Punës si reference ligjore, procedurale e financiare është zgjidhja e drejtë dhe e ndershme; Përgjigja-nuk kam më lekë, t’u paguaj qeveria është një gënjeshtër e madhe!. Por përtej tyre, VIP-ave, dhjetëra sipërmarrës ju kanë dalë për zot punëtorëve të tyre, ju kanë paguar rrogat, sigurimet, madje edhe tatimin mbi te ardhurat”.

Braç ju drejtohet të pasurve duke ju thënë se duhet të frenoni luksin dhe jo pagat e punonjësve.

“Kjo është pabarazi! Edhe në tregun ku operojnë si ai lloj edhe ky lloj, pabarazi është. Fakti i kryer në kundërshtim me ligjin duhet të ketë një kufi; Qeveria po merr përsipër punëtoret që janë hedhur në rrugë në kundërshtim me ligjin-me herët ka marrë përsipër të punësuar e vetëpunësuar në biznesin e vogël por hetimi ligjor, administrativ, fiskal, duhet të pasojë me çdo kusht. Por përtej kësaj, të hënë hapet puna thuajse plotësisht, pa kafenetë, baret e restorantet. Drejtësia duhet të dalë nga karantina e të prese padinë e çdo punëtori të dhunuar e që nuk bie dakord me pagën e papunësisë, duke kërkuar atë që Kodi i Punës i garanton. Të pasurit tanë duhet të mësohen edhe me këtë, ta pranojnë si mënyrën e re të jetesës; Kudo nis duke frenuar luksin, jo rrogat e punëtorëve”, tha ai. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.