Basha: Rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve

TIRANË, 19 prill/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot planin me 5 pika për daljen nga emergjenca.

“Vetëm rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve dhe frenimin e përhapjes së virusit. Izolimi i qytetarëve dhe bllokimi i ekonomisë na kushton qindra herë më shumë se rritja e numrit të testimeve”, u shpreh Basha.

Së pari, Basha thotë se duhet të bëhet gjurmimi i plotë i burimit dhe i kontakteve të të prekurit. “Testimi i mjekëve, policëve e personave në vijën e parë. Kjo kërkon burime njerëzore, trajtimin dhe përdorimin e kapaciteteve”, thuhet në plan.

Sa i përket mbështetje për shëndetësinë, Basha kërkoi sigurimin e mjeteve dhe pajisjeve për personelin shëndetësor. “Të garantojmë që kapacitetet tona shëndetësore të përballojnë fluksin e personave që kanë nevojë për trajtim”, citohet në planin e propozuar nga Basha.

Më tej, Basha theksoi nevojën e një sistemi të saktë të matjes së impaktit që kanë masat e marra.

“Nëse ne e dimë çfarë impakti kanë ato, ulin, mbajnë konstant apo rrisin numrin e të infektuarve, atëherë do të kemi mundësi të reagojmë menjëherë në menaxhimin e situatës duke i shtrënguar apo liruar më tej masat e marra”, thuhet në planin e prezantuar.

Për sa i përket hapjes, në planin e prezantuar theksohet se rifillimi kërkon përshtatjen me realitetin e ri. “Qytetarët dhe bizneset do të duhet të mësohen të funksionojnë në kushtet e distancës 1.5 m”, përcaktohet në plan.

“Sa më shpejt të adoptohet kjo mënyrë e re, aq më shpejt mund të rifillojë ekonomia dhe të reduktohet karantina. Qeveria duhet të mbështesë me fonde dhe lehtësira mënyrën e re të funksionimit të ekonomisë”, citohet në planin e prezantuar./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.