Vokshi-Alibeaj: Të anulohet çmimi për blerjen e materialeve mbrojtëse shëndetësore

TIRANË, 18 prill /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetët e PD-së, Albana Vokshi dhe Enkelejd Alibeaj reaguan sot në lidhje me tenderin për blerjen e maskave, ku sipas tyre nuk ka transparencë dhe po fshihet çmimi.

Sipas tyre, ky është një skandal me tenderin 3.5 milion dollarë të materialeve mbrojtëse shëndetësore, pasi qeveria i bleu me 2-fishin e çmimit të tregut.

Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi e cilësoi një nga aferat më të mëdha të qeverisë në kohën e pandemisë. “Bëhet fjalë për mbi 200 mijë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, të blera nga qeveria me çmime stratosferike”, tha ajo

Sipas Vokshit, Ministria e Shëndetësisë po mban fshehur çmimin.

“Të pranosh të blesh 8 mijë lekë një maskë që me pakicë në farmaci shitet 4 mijë lekë do të thotë vjedhje në mes të ditës. Ministria e Shëndetësisë fsheh vjedhjet me kontrata sekrete, sa më shumë kohë kalon pa bërë transparencë për çdo qindarkë të shpenzuar, aq më shumë është e vendosur opozita për të dalë në mbrojtje të interesit publik”, shprehet ajo.

Ndërsa, ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj tha se Partia Demokratike ka siguruar dokumentacionin nga Dogana Shqiptare. Dokumenti sipas tij, provon abuzimin me kontratat e shpallura sekrete nga qeveria.

“Në emër të Partisë Demokratike, kërkoj sot nga Qeveria, nga Edi Rama personalisht, që të anulojë menjëherë çmimin skandaloz të blerjes së këtyre materialeve, të kthejë në Buxhet paratë e paguara tepër dhe të vjedhura”, tha ai. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.