Fotogaleri nga Tirana/ Vetëm pensionistët në rrugë, “shijojnë” mëngjesin me diell deri në orën 11:00



TIRANË, 18 prill/ATSH/ Pas më shumë se një muaji të izoluar nëpër shtëpi, të moshuarit kanë pasur mundësi këtë të shtunë të lëvizin lirisht brenda një fashe orare të përcaktuar vetëm për ta.

Në një vëzhgim të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në rrugët e kryeqytetit, shihen pensionistë që po shfrytëzojnë fashën orare deri në 11:00 për të shëtitur, gjithmonë duke respektuar distancat.

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se ndërkohë që gjithë vendi është vendosur në karantinë prej ditës së premte në orën 17:30 deri të hënën në orën 05:00, në qendrat urbane sot lejohet të qarkullojnë deri në orën 11:00 vetëm pensionistët.

Rama tha se “pensionistët mund të dalin, jo për vizita, as për domino, as për ulje të rrezikshme në grup, por për ajrosje dhe ecje deri në orën 11:00 paradite, jo më shumë se me një tjetër pensionist, por duke ruajtur distancën”./m.m/j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.