Tropojë/ 100 pako ushqimore për familjet në nevojë

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/- Bashkia Tropojë vazhdon operacionin humanitar për familjet në nevojë, si dhe asistencën për moshat e treta dhe pensionistët që jetojnë vetëm.

Kryetari i bashkisë Tropojë, Rexh Byberi tha se sot janë shpërndarë ndihma  në 100 familje në nevojë në njësinë administrative Tropojë.

“Edhe 100 familje të tjera u asistuan sot me ndihma ushqimore nga fondi i akorduar i bashkisë në njësinë administrative Tropojë. Stafi i emergjencës zonale i drejtuar nga Ibrahim Hajdaraj përfundoi sot turin e ndihmës dhe solidaritetit dhe në fshatrat Viçidol, Kamenice, Gegaj, Papaj, Buçaj e Kuçanë duke e kompletuar në tre ditë intensive gjithë territorin e njësisë”, tha ai.

Byberi shtoi se “përveç këtij objektivi administratori  ka evidentuar dhe nevojat specifike të banorëve të cilat do të plotësohen hap pas hapi”.

Po ashtu Byberi apelon për qytetarët që të respektojnë masat e marra për parandalimin e COVID-19, distancimin social dhe qëndrimin në shtëpi pasi është bashkia që kujdeset për ta.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.