Shtesat në Kodin Penal me qëllim mbrojtjen e jetës/ Hapja graduale do të shoqërohet me ndëshkime shembullore

TIRANË, 17 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se “Kodi Penal për situatën e epidemisë ka vetëm një qëllim, mbrojtjen e jetës e të shëndetit të qytetarëve, familjeve shqiptare dhe të popullit nga abuzimet që mund t’i kërcënojnë e rrezikojnë drejtpërdrejtë”.

Rama tha se “javën e ardhshme, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal për situatën e epidemisë, të gjithë qytetarët pa përjashtim do të startojnë të gjithë të barabartë në fazën e dytë të kësaj lufte, kur hapja graduale do të shoqërohet me ndëshkime shembullore për të cilat nuk do të ketë më asnjë kthim pas”.

“Kush nuk do të dojë të jetë një me interesin e popullit dhe të vendit, le ta paguajë me të gjitha pasojat e rënda ligjore që parashikon Kodi i ri Penal. Sepse asnjë hapje nuk mund të kthehet në hapje rruge për infektimin e njerëzve nga këmbësorë të papërgjegjshëm, nga drejtues të pabindur automjetesh, nga sipërmarrës e dyqanxhinj të pavëmendshëm për shëndetin e personelit apo të konsumatorit”, tha Rama.

Rama reagoi edhe ndaj të gjithë atyre që “‘u hodhën përpjetë’ për të mbrojtur demokracinë nga mbushja e një vakuumi në Kodin tonë Penal, i cili deri dje ishte i vetmi Kod Penal në Europë pa asnjë rresht për një situatë epidemie”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.