Rama publikon vendimin: Gjobat, patentat dhe makinat e bllokuara do u kthehen të ndëshkuarve

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot  se “gjobat, patentat e marra për 3 vjet dhe makinat e bllokuara do u kthehen të ndëshkuarve”.

“Gjobat, patentat e marra për 3 vjet dhe makinat e bllokuara po ashtu për shkelje gjatë këtyre javëve, do t’u kthehen të ndëshkuarve, jo sepse nuk gabuan, po sepse sidoqoftë jemi një familje në një situatë të jashtëzakonshme, ku edhe ata që u nxituan meritojnë sot teksa lufta vazhdon, një shans të dytë në vend të një halli më shumë”, deklaron Rama.

Kryeministri apelon për qytetarë që të mos bëjnë të njëjtin gabim sepse ashpërsimi i Kodit Penal dhe hyrja në fuqi nuk mund t’i justifikojë.

“Uroj që as ata të mos e përsërisin dhe as të tjerë të mos bëjnë të njëjtin gabim, sepse me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal, askush nuk mund të justifikohet e të tolerohet më, teksa hapja graduale i bën shkeljet edhe më të rrezikshme për shëndetin e popullit”, shprehet Kryeministri.

Po ashtu Kryeministri Rama ka postuar dhe vendimin e faljes së gjobave.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.