Ndihmë Shqipërisë me pajisje mbrojtëse mjekësore/ Basha falënderon Hungarinë: Nuk jemi vetëm

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu sot mirënjohjen për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në periudhën e pandemisë COVID-19.

Basha është takuar me ministrin e jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó, gjatë vizitës që ai po zhvillon në Shqipëri.

“Mirënjohje për Hungarinë, kryeministrin Orban dhe ministrin e jashtëm Péter Szijjártó për ndihmën e çmuar për pajisje mbrojtëse  në këto ditë të vështira për vendin tonë, ku po rritet çdo ditë numri i të infektuarve në radhët e stafeve mjekësore”, është shprehur Basha.

“E falenderova personalisht ministrin Szijjártó dhe i kërkova të shohë mundësinë për të ndihmuar edhe më tej Shqipërinë e cila sot po përballet edhe me një krizë të madhe ekonomike, ku papunësia dhe pamundësia e qytetarëve për të siguruar ushqimin e përditshëm rritet çdo ditë. Nuk jemi vetëm”, ka thënë Basha.

Për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, Hungaria siguroi në mbështetje të luftës kundër COVID-19, 100.000 maska dhe 5000 kostume mbrojtëse mjekësore, me qëllim forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në vend.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.