Masat kundër COVID-19/ AKU vendos 10 masa paralajmërimi dhe gjobë 200 mijë lekë

TIRANË,  17 prill /ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon kontrollet rigoroze në të gjithë bizneset ushqimor, për respektimin e masave kundër COVID-19 dhe për shkeljet e evidentuara ka vendosur 2 gjoba dhe 10 masa paralajmërime.

AKU bën të ditur se, trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë vijuar gjatë ditës së sotme inspektimet në të gjithë vendin, në garantim të sigurisë ushqimore ashtu si edhe monitorimet në zbatim të akteve normative kundër përhapjes së COVID -19.

“Sot janë kryer 113 kontrolle zyrtare dhe monitorime. Nga kontrollet e kryera në qytetin e Fierit, janë vendosur 2 masa administrative “gjobë” në dy subjekte që tregtonin mish pa vulë dhe pa certifikatë veterinare, në vlerën e 100.000 lekëve për secilën prej tyre. Gjithashtu është bërë bllokimi në të dyja subjektet i sasisë prej 21.3 kg mish me destinacion asgjësimin e tyre”- njofton AKU.

Sipas AKU-së nga kontrollet e kryera në Tiranë, janë dhënë 8 masa administrative “paralajmërim”. Ndërsa në Shkodër janë dhënë 2 masa administrative “paralajmërim” referuar shkeljeve dhe mangësive të konstatuara.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në përputhje edhe të kërkesave të legjislacionit në fuqi, njofton se, do të jetë i pranishëm në të gjithë vendin me zero tolerancë ndaj kujtdo që tenton të abuzoje dhe përfitojë në kurriz të shëndetit të konsumatorëve.

e.xh//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.