Balla në Cërrik: Operacioni humanitar deri në fund të luftës, gati për shpërndarje 1200 pako të tjera ushqimore


TIRANË, 17 prill/ATSH/ Në Cërrik janë shpërndarë deri tani rreth 1 mijë pako ushqimore, ndërkohë që me fondet e bashkisë janë bërë gati të shpërndahen për familjet në nevojë edhe 1200 pako të tjera ushqimore.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Cërrikut Andis Salla dhe deputeti Luan Duzha asistoi në operacionin humanitar që po zhvillohet në Cërrik për shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë.

Pjesa e parë e operacionit humanitar në këtë bashki u krye me ndihmën e organizatave dhe bizneseve, ndërsa do të vijojë puna, tha Balla, edhe më tej për t’ju gjendur çdo familje në nevojë, por edhe çdo të moshuari të vetmuar me shërbimet që ka nevojë.

“Sot në qendrën e operacionit të ndihmës humanitare për familjet në nevojë në bashkinë Cërrik janë gati 1200 pako të tjera, përveç atyre që janë shpërndarë deri tani. Këto pako ushqimore janë blerë sipas procedurave të përcaktuara nga Fondi i Emergjencave Civile të bashkisë Cërrik. Janë pako të plota ushqimore të cilat përmbajnë të gjitha produktet e domosdoshme për një familje. VKM ka përcaktuar qartë cilat janë familjet që përfitojnë. Ndërkohë në Cërrik edhe procesi i shpërndarjes së ndihmës ekonomike të dyfishuar ka përfunduar”, deklaroi Balla.

Sipas Ballës, ky operacion humanitar deri tani u ka ardhur në ndihmë rreth 200 mijë familjeve në të gjithë Shqipërinë.

“Dua t’u them të gjithë atyre që këtë situatë lufte e shohin nga divani, se ky operacion humanitar, i cili u ka ardhur në ndihmë rreth 200 mijë familjeve në të gjithë Shqipërinë, është një detyrim që qeveria ka ndaj atyre që sot janë në nevojë. Ky operacion humanitar do të vijojë deri në fund të kësaj lufte”, tha Balla.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Cërrikut, Andis Salla informoi për punën e deritanishme ku të gjitha strukturat e bashkisë gjenden në terren për të asistuar çdo nevojë të qytetarëve.

“Kemi trokitur derë më derë në rreth 1 mijë familje në nevojë duke ju gjendur pranë për nevojat që kanë. Sot kemi përgatitur rreth 1200 pako ushqimore me fonde të Bashkisë Cërrik. Deri tani, kemi shpërndarë 1 mijë pako ushqimore me ndihmën e bizneseve të zonës dhe donatorëve. U bëj thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi”, u shpreh Salla.

Edhe deputeti Luan Duzha vlerësoi punën e bërë nga bashkia Cërrik, ku asnjë familje nuk ka mbetur pa marrë ndihmën ushqimore ndërkohë që operacioni vazhdon./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.