SUEDI – Parlamenti i jep qeverisë kompetencat për të aplikuar masat kundër COVID-19 

STOKHOLM, 16 prill /ATSH-AFP/ – Deputetët në Suedi kanë miratuar një ligj të ri që i jep qeverisë kompetencat e përkohshme për të miratuar shpejt masat, që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit të ri

Ligji i ri i jep qeverisë së udhëhequr nga socialdemokratët mundësinë për të mbyllur përkohësisht bizneset, për të kufizuar tubimet publike ose për të mbyllur portet dhe aeroportet, si edhe një sërë masash të tjera.

Ky miratim vjen pas kritikave për qasjen relativisht të relaksuar të ndërmarrë deri më tani në vendin skandinav, i cili nuk mori masa të rrepta dhe tani ka një normë vdekjesh dhe infektimi nga COVID-19 që është shumë më e lartë se fqinjët e saj të afërt.

Qeveria ende e ka të ndaluar të miratojë masa që kufizojnë të drejtat e garantuara me kushtetutën e vendit, që do të thotë se asaj do t’i duhet ende të presë parlamentin për të caktuar llojet e shtetrrethimeve që janë vendosur diku tjetër në Europë.

Deri më tani qeveria ka ndaluar tubimet e më shumë se 50 personave dhe ka ndaluar vizitat në azilet e pleqve.

Sot, qeveria vendosi gjithashtu për një zgjatje njëmujore të ndalimit të udhëtimit jo të domosdoshëm në vendet jashtë BE-së, në përputhje me një vendim të përbashkët të BE-së.

Masat e reja hyjnë në fuqi më 18 prill dhe zgjasin deri në fund të qershorit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.