Solidariteti në kohën e COVID-19/ Qytetarët shprehin mirënjohjen për ndihmën dhe përkujdesin

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Në kohë të vështira, shqiptarët kanë ditur të tregohen solidarë duke iu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, gjë të cilën po e bëjnë edhe sot në situatën e krijuar prej COVID-19.

Janë të shumtë ata që i janë bashkuar thirrjes për të kontribuar vullnetarisht qoftë në shpërndarjet e pakove ushqimore, qoftë edhe duke hequr një pjesë të të ardhurave të tyre në ndihmë të njerëzve që kanë vështirësi ekonomike.

Ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë është ndërmarrë operacioni humanitar i cili po vijon prej javësh, ka mjaft qytetarët që shprehin mirënjohjen e tyre përmes mesazheve.

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj ka publikuar një pjesë të mesazheve të ardhur nga qytetarët, për të cilat thotë se “janë veç disa nga ato mesazhe që vërtet ta bëjnë zemrën mal dhe të imponojnë përgjegjësi për të mos u dorëzuar, as shkurajuar, kërkuar gjithnjë e më shumë”.

“Përshëndetje, e nderuar deputete! Uroj të jeni mirë ju dhe familjarët tuaj. Unë kam bërë kërkesë të jem vullnetare në këtë situatë të vështirë për qytetin tim, por nuk kam marrë përgjigje. Ju lutem, dua të marr pjesë dhe të jem vullnetare në këtë situatë të vështirë”.

“Shumë faleminderit! Më bëtë të qaj”.

“Fola me gjyshërit dhe më thanë që i kishit dërguar gjithçka që kishte nevojë”.

“Në situatën e krijuar jam e gatshme të jap kontributin tim në ndihmë të familjeve në nevojë me pako me ushqime. Me kë duhet të flas?’”

Këto janë një pjesë të mesazheve të publikuara prej deputetes Felaj. z.tosku/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.