Raportuesja për Kosovën në PE, Cramon – Kurtit: Kufizimi i lëvizjes, mbi baza kushtetuese

PRISHTINË, 16 prill /ATSH/ Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që, për masat kufizuese në lidhje me COVID-19 t’i kthehet bazës së Kushtetutës, pasi sipas saj, nuk mund të kufizohet në këtë mënyrë orari i qarkullimit të njerëzve.

“Rregullat që krijojnë më shumë konfuzion dhe që nuk janë në pajtim me Kushtetutën mund të shkaktojnë më shumë dëm. Shtetet tjera kanë caktuar kohën që mund të kalosh jashtë, por jo edhe orën se kur mund të dalësh. Qeveria duhet të kthehet prapa te bazat kushtetuese”, shprehet Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian.

Reagimi i saj vjen pasi ditën e djeshme hynë në fuqi masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilave qytetarët mund të dalin një herë në ditë dhe atë për vetëm një orë e gjysmë sipas numrit të parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Ministria e Shëndetësisë e kishte arsyetuar një masë të tillë, se kjo është ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit, nga i cili deri tani janë prekur 423 persona, prej tyre 9 kanë vdekur.

Por, eurodeputetja Viola von Cramon nuk pajtohet me këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, duke thënë se rregullat e kufizimit të lëvizjes duhet të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.