Paketa e zgjeruar/ 40 mijë lekë pagë për të gjitha kategoritë e përfshira, pjesa më e madhe e tyre rikthehen në aktivitet gjatë majit

TIRANË, 16 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “paga 400 mijë lekë për të gjithë kategorinë e përfshirë në paketën e zgjeruar është një bonus i drejtpërdrejt për të ndihmuar në këtë fazë të ndërmjetme gjithë këtë kategori, një pjesë e madhe e të cilëve kanë punuar me xhiro të reduktuara, dhe një pjesë tjetër që mund të jenë larguar nga puna në 10 prill”.

Në një lidhje direkte me një studio televizive, Rama tha se “nuk duhet të harrojmë se në këtë kategori pjesa më e madhe e tyre do të mundet të rikthehen në aktivitet gjatë muajit maj”.

Ndërkohë, tha Rama, “nuk mund të them të njëjtën gjë për atë pjesë të paketës së parë, lokale, restorante, që janë pjesa e fundit që do kthehen në punë”.

Kryeministri theksoi se mbylljet në biznesin e madh kanë ardhur me valë. “Ka një diferencim edhe mes vetë biznesit të vogël. Në paketën e parë përfshi ajo pjesë e biznesit të vogël që u godit drejtpërdrejt në momentin e parë dhe u detyrua të mbyll gjithçka. Në paketën e zgjeruar janë 100 mijë të tjerë që nuk mbyllën gjithçka por u goditën rëndë dhe 66 mijë punonjës të pezulluar apo larguar në biznesin e madh që nuk janë larguar ditën parë, por me valë deri në 10 prill të javës së shkuar”, tha Rama.

Kryeministri tha se “përgjithësisht nga të gjitha hulumtimet e bëra prej nesh, biznesi i madh ka bërë edhe pagesa të pjesshme, minimale”. “Ne ne e kemi ndjekur faktikisht se i referohemi listëpagesave, ndërkohë që nga fundi i marsit deri në 10 prill ka pasur një tendencë të madhe rritëse”, tha Rama.

Rama tha se “biznesi i madh ka detyrime shumë më të mëdha ndaj punonjësve të vetë se sa një biznes i vogël”. “Unë nuk kam thënë se bizneset e mëdha nuk do heqin njerëz nga puna se nuk i urdhëroj dot, por kam bërë një thirrje drejtuar biznesit të madh për të parë tek ata që kanë punonjës kontributorë të drejtpërdrejtë, jo njerëz që t’i hedhin në rrugë. Kam thënë se ne ata nuk do t’i lëmë vetëm”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “400 mijë lekë për të përballuar këtë fazë të ndërmjetme nuk janë shumë, por nuk janë pak”. “Ne kemi bërë një hulumtim dhe masa më e madhe e kësaj kategorie e konsideron këtë pagë të drejtpërdrejtë në një dorë prej 400 mijë lekësh, si një pagë në përgjigje të nevojës së tyre”, tha Rama.

I pyetur mbi paketat mbështetëse financiare në vendet e rajonit, Rama tha se “nuk dua të bëj krahasime sepse gjërat nuk janë ashtu si duken në pamje të parë”.

“Shumica e paketave janë instrumente garancie. Franca, një superfuqi, familjeve me asistencë ekonomike iu ka dhënë plus 150 euro. Serbia ka përfshirë në llogaritje jo vetëm instrumentet e garancisë pot edhe të gjitha taksat e shtyra. Në rast se ne flasim duke përfshirë edhe taksat e shtyra, Shqipëria është 760 milionë sot që flasim”, tha Rama.

Rama tha se “ato që kemi thënë i kemi në dispozicion”. “Pagat e paketës së parë janë të gjitha në dispozicion dhe brenda javës së ardhshme të gjitha do të jenë shlyer. Shumëkush që është ankuar se është refuzuar ka aplikuar në një paketë ku nuk ka qenë e përfshirë”, tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.