MV – Rritet në 45 numri i të vdekurve nga COVID-19

SHKUP, 15 prill /ATSH-AA/ – Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka informuar se në 24 orët e fundit është regjistruar një rast i ri i vdekjes nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 45.

Në kumtesën e ministrisë thuhet se bëhet fjalë për një paciente 76-vjeçare, e cila ka humbur jetën para dy ditëve në spitalin “8 shtatori”.

Gjithashtu, nga ministria informojnë se janë diagnostifikuar 66 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve tani është 974.

Në mesin e të diagnostifikuarve të rinj, 27 janë nga qyteti i Kumanovës, 10 nga Shkupi, nga pesë pacientë janë nga Ohri dhe Tetova, nga katër pacientë të rinj janë regjistruar në Prilep dhe Strugë, nga tre në Shtip dhe Koçani, nga dy në Veles dhe Negotinë dhe një në Gostivar.

Nga gjithsej 974 të infektuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, shumica prej tyre janë regjistruar në Shkup (339), Kumanovë (262) dhe Prilep (89), ndërsa raste të konfirmuara janë regjistruar në pothuajse të gjitha qytetet e vendit.

Në kumtesën e ministrisë theksohet se në 24 orët e fundit nga sëmundja janë shëruar 12 pacientë.

Javën e kaluar në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masa të reja për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli gjendjee e  jashtëzakonshme në gjithë territorin e vendit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.