Ministeriali i NATO-s për COVID-19/ Xhaçka: Me solidaritet do ia dalim të përballojmë sfidat e ashpra, pasojë e pandemisë

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Ministeriali i Ministrave te Mbrojtjes të 30 vendeve anëtare të NATO-s kushtuar COVID-19 zhvilloi sot për herë të parë në historinë e tij mbledhjen online.

Në fjalën e saj në këtë ministerial, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se “COVID-19 është kërcënim dhe sfidë serioze për sigurinë e Aleancës”.

Ajo shprehu solidaritetin me të gjithë aleatët për humbjet në njerëz si rezultat i pandemisë.

“Mirënjohje për ‘ushtrinë e bardhë’ të angazhuar në vijën e parë kundër armikut të padukshëm. Pandemia gjeti të papërgatitur edhe vendet me ekonomi më të mëdha se Shqipëria”, tha Xhaçka.

Ajo u shpreh krenare për kontributin e jashtëzakonshëm të Forcave të Armatosura. “Ekspertiza dhe disiplina e FA-së kanë rol në përballimin e pandemisë”, tha Xhaçka.

Xhaçka u shpreh se “uniteti politik dhe solidariteti janë mesazhi që Aleanca duhet të tregojë tani”.

“Është koha për të reflektuar se çfarë duhet bërë më mirë. Të rigjenerojmë diplomacinë publike kundër fushatës dezinformuese dhe lajmeve të rreme. Me solidaritet do ia dalim të përballojmë sfidat e ashpra, pasojë e pandemisë”, tha ajo.

Ndihma përmes Qendrës Koordinuese Euroatlantike për Reagimin ndaj Fatkeqësive, sipas saj, “është instrumenti i duhur”. “Kemi aftësinë, burimet dhe motivim për të bashkuar forcat”, tha ajo. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.