Masa kundër COVID-19/ AKU mbyll tregun në Vlorë, gjoba mbi 1 milion lekë

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon kontrollet intensive në operatorët ushqimorë në të gjithë vendin, në zbatim të masave kundër COVID-19, për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

AKU njofton mbylljen e “Tregut të orizit” në Vlorë për mosrespektim të masave kundër përhapjes së COVID-19, vendosjen e masave administrative “gjobë” dhe “paralajmërime” në disa subjekte në Tiranë dhe Shkodër.

Sipas AKU-së, janë kryer 117 monitorime dhe kontrolle zyrtare. Në Vlorë, AKU në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor ka mbyllur “Tregun e orizit” pasi nuk respektoheshin masat e marra kundër përhapjes së COVID- 19.

Ndaj një subjekti “furre buke” në Tiranë është marrë masa administrative “gjobë” me vlerë 50 000 lekë për tregtim të bukës së prerë, si dhe janë dhënë 9 masa administrative “paralajmërim”.

Në Elbasan në subjektin me aktivitet “import-eksport”, janë zhbllokuar 920 kg të produktit të bllokuar “kungull”, pasi nga analizat e kryera kanë rezultuar konform legjislacionit në fuqi.

Ndërsa në Shkodër janë marrë 2 masa administrative me “gjobë” me vlerë 60 000 lekë në një subjekte “furrë buke” dhe në “njësi tregtimi peshku”, për moszbatim të aktit normativ dhe mosplotësim të detyrave të lëna nga inspektimi paraardhës.

Në Berat janë marrë 25 mostra për analizim për prani të pesticideve në fruta-perime, ndërsa në Korçë janë marrë 3 mostra.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje të vazhdueshme të gjitha bizneseve ushqimore që të respektojnë me rigorozitet të gjitha masat e marra për mospërhapjen e COVID-19 si dhe do të vijojë të jetë i pranishëm në të gjithë vendin në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.