FRANCË – Le Drian: OBSH ka treguar mangësi në menaxhimin e krizës së COVID-19

PARIS, 15 prill /ATSH-AFP/- Funksionimi i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) ka treguar mangësi në menaxhimin e krizës së koronavirusit, tha sot ministri francez i Jashtëm, Jean-Yves Le Drian, duke bërë thirrje për një multilateralizëm të ri shëndetësor.

“Ka padyshim gjëra që duhet të thuhen për funksionimin e OBSH-së, mbase mungesa e reagimit, autonomia nga shtetet, ndoshta mungesa e mjeteve të zbulimit, vigjilencës dhe informacionit, me aftësi normative”, vlerësoi le Drian, gjatë një seance dëgjimore përpara Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit.

“Por nuk është automatikisht përgjegjësia e aktorëve të OBSH-së, ajo bie gjithashtu edhe në themelet e institucionit dhe unë mendoj se kriza aktuale duhet të na lejojë të rishikojmë rolin e secilit prej mjeteve të shkëlqyera që ekzistojnë sot”, shtoi ai.

Paris shprehu sot keqardhjen e tij për vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për të pezulluar kontributin e SHBA-së për OBSH-në në mes të krizës së koronavirusit, duke treguar se Franca shpresonte për një kthim në normalitet, në mënyrë që OBSH, autoriteti shëndetësor brenda OKB-së, të mund të vazhdojë punën e saj./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.