Efektet e COVID-19 në Shqipëri/ Anketohen 360 biznese, vlerësohen masat e ndërmarra nga qeveria

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Për të kuptuar efektet që po jep në ekonomi infeksioni COVID-19, Këshilli i Investimeve zhvilloi një anketim në të cilin u përfshinë 360 biznese.

Sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ky numër i konsiderueshëm i bizneseve pjesëmarrëse tregon së pari, interesin për të dialoguar me qeverinë, ndërsa shtoi, se rezultatet e anketimit tregojnë se në përgjithësi bizneset vlerësojnë masat e ndërmarra deri më tani nga qeveria.

Referuar anketimit, bizneset me të ardhura mbi 14 milionë mendojnë se shtyrja e afatit të pagesës së kredive është masa më e mirë e marrë nga qeveria, e ndjekur nga garancia sovrane dhe shtyrja e afatit të dorëzimit të pasqyrave financiare.

Ndërsa, bizneset me të ardhura më pak se 14 milionë mendojnë se masat mbështetëse ndaj biznesit të vogël, të shoqëruara nga pagesa e pagave dhe riskedulimi i pagesës së tatimfitimit janë efektive.

“Bizneset kanë vlerësuar masat që ka marrë qeveria shqiptare dhe sigurisht disa masa janë vlerësuar më shumë se disa të tjera. Konkretisht, bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë mendojnë se shtyrja e afatit të pagesës së kredisë është masa shumë e mirë e marrë dhe në kohën e duhur nga qeveria, sigurisht e ndjekur dhe nga garancia sovrane, e cila në paketën e dytë zgjeron dhe përfshin dhe nevojat që ka adresuar biznesi, në komunikimet që janë zhvilluar, në raport me nevojën që kjo garanci bankare të mos ishte e fokusuar vetëm te pagat, por edhe për nevoja likuiditeti në raport me blerjen e mallrave dhe qarkullime të aktivitetit në veçanti. Sigurisht mbështetja e biznesit të vogël është vlerësuar në këtë anketë si një masë mbështetëse shumë e rëndësishme e cila, e shoqëruar edhe nga pagesa e pagave dhe riskedulimi i pagesës së tatimfitimit sjellin efektivitet dhe likuiditet të shtuar në sektorë të cilët i takojnë këtyre bizneseve”, u shpreh ministrja. /a.gjonaj/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.