Masat kundër pandemisë/ Cakaj telefonata me faktorin politik shqiptar në Ballkan: Bashkë do t’ia dalim

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi sot një numër telefonatash me përfaqësues institucionalë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë të Preshevës.

Telefonatat kishin në fokus diskutime mbi masat e ndërmarra në luftën kundër pandemisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit intensiv gjatë këtyre ditëve, deri në mposhtjen përfundimtare të COVID-19, në të mirë të shëndetit të të gjithë shqiptarëve.

Telefonatat Cakaj i zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, kryetarin e Tuzit, Nik Gjeloshaj e zv. kryetarin e parlamentit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu, si dhe me kryetarin e Bujanovcit, Shaip Kamberi, kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi e kryetarin e Këshillit  Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa.

“Ndonëse në këtë luftë jemi sfiduar të gjithë, së bashku do t’ia dalim pa asnjë diskutim! Natyrisht, ne do ta ruajmë komunikimin institucional për të qëndruar afër njëri-tjetrit dhe bashkërenduar veprimet sipas nevojave”, u shpreh Cakaj.

/gj.mima//j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.