Instrumenti i garancisë sovrane synon lehtësimin afatshkurtër të pasojave ekonomike të pandemisë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi deklaroi se paketa e dytë financiare e prezantuar nga qeveria do të shërbejë si oksigjen për t’i dhënë frymë e bërë më të lehtë procesin e zhvillimit ekonomik në Shqipëri në kushtet e vështira në të cilat ndodhemi për shkak të COVID-19.

Shalsi tha se autoritet kanë qenë përgjatë gjithë kohës në kontakte të vazhdueshme me përfaqësues të biznesit për të kuptuar nevojat e tyre dhe se qeveria është përpjekur të kalkulojë çdo monedhë, sepse, vijoi ai, nuk janë lekët tona, por të shqiptarëve dhe duhet të mbajmë këtë balancë.

“Padurimi i qytetarëve dhe i sipërmarrjes me të drejtë për shkak të situatës, nuk na ka shtyrë të nxitohemi dhe ne kemi hedhur hapa të studiuar mirë”, deklaroi Shalsi.

Ministri shpjegoi po ashtu se instrumenti i garancisë sovrane synon stimulimin e huadhënies duke synuar lehtësimin afatshkurtër të pasojave ekonomike e duke mundësuar mjete monetare shtesë për bizneset e prekura nga vendimet e qeverisë në kuadër të masave. /a.gjonaj/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.