“Familja e Zemrës”/ Bushati: Misioni vazhdon, opozita t’i bashkohet nismës tonë në ndihmë të familjeve në nevojë

TIRANË, 14 prill /ATSH – I. Vata/ Deputeti i PS-së Ervin Bushati i bën thirrje opozitës t’i bashkohet nismës “Familja e Zemrës” për të mbështetur me ndihma familjet në nevojë në këtë situatë emergjente për shkak të COVID-19.

Bushati shprehet se “misioni vijon, “Familja e Zemrës” më pranë njerëzve në nevojë. Ftoj PD të ndjekë nismën tonë në ndihmë të shoqërisë”.

“Ne po kalojmë një situatë që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Shqipërisë dhe ndoshta edhe të botës. Në këto kohë të vështira ne përpiqemi të jemi pranë atyre që kanë më shumë nevojë, pra pensionistët, njerëzit me ndihmë sociale apo nënat kryefamiljare. Shoqëria funksionon si një zinxhir dhe mund të këputet në hallkën e tij më të dobët, prandaj ky është momenti që të tregojmë solidaritet dhe përkujdesje për qytetarët shqiptarë që janë më në nevojë. Këtë iniciativë ne e kemi nisur që me tërmetin e shtatorit të vitit të kaluar dhe e kemi vijuar natyrshëm në tërmetin e nëntorit, si edhe në këtë situatë pandemie ku jemi”, tha ai.

Bushati thekson se nisma vijon çdo ditë dhe njësia administrative nr.8 qëndron çdo ditë pranë njerëzve në nevojë.

“Kjo është një mënyrë simbolike për t’u treguar njerëzve që mund të bëjmë më shumë. Sa më të ndërgjegjshëm të jemi, sa më shumë të zbatojmë masat apo distancën sociale, aq më e lehtë do jetë të rikthehemi në jetën normale. Pra, nuk duhet t’i kërkojmë qeverisë afatin se kur do të kthehemi në jetën tonë normale, por ta shikojmë si përgjegjësi ndaj vetes. Është për t’u admiruar më fakt mbështetja e qytetarëve ndaj nismave të ndërmarra nga qeveria, kanë qëndruar në shtëpi dhe këtë e tregon numri i ulët i rasteve tragjike apo edhe infektimeve në vend. Nëse qeveria dhe shoqëria nuk do reagonin në kohën e duhur, sot mund të kishim viktima si në Itali apo në Spanjë”, tha ai.

Po ashtu Bushati shton se “kam një thirrje edhe për opozitën. Ato mund të mos jenë dakord me shumë nisma të qeverisë shqiptare, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të ndihmojnë qytetarët më në nevojë. Do të doja shumë që t’i shikoja dhe nga krahu tjetër, pra deputetët e PD-së të bënin të njëjtën gjë. Nuk janë dakord me ne, prandaj dhe janë në opozitë, por do të ishte mirë që edhe kreu i opozitës të vinte dhe të shpërndante ndihma për njerëzit në nevojë”.

“Kjo situatë që po ndodh në gjithë botën na ka vënë në test si shtet, si qeveri, si shoqëri dhe ne patjetër duhet të ndihmojmë ata në nevojë. Ne do e kalojmë bashkë këtë sfidë dhe do të dalim më të fortë si shoqëri”, tha Bushati. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.