VIDEO – Operacionet humanitare në Fier/ Subashi për ATSH-në: Deri tani janë shpërndarë 2 mijë pako ushqimore

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Operacionet humanitare në Fier po vazhdojnë në mbështetje të pensionistëve të vetmuar dhe familjeve në nevojë, ndërsa deri tani janë shpërndarë 2 mijë pako ushqimore.

Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi u shpreh se “në bashkëpunim edhe me disa organizata dhe kompani sigurimi, në gjithë territorin e bashkisë janë shpërndare rreth 2000 paketa ushqimore për familjet në nevojë.

“Për sa i përket familjeve të kategorizuara sipas VKM-së, deri tani janë shpërndare 385 shporta ushqimore”, sqaroi Subashi.

Po ashtu ai informoi se këshilli bashkiak ka marrë së fundmi dhe një vendim për të mbështetur me shporta ushqimore falas edhe 382 familje në nevojë të komunitetit rom.

Subashi sqaroi se “vetëm me buxhetin e emergjencës së bashkive janë një seri kategorish që përfitojnë shporta ushqimore falas”.

“Disa prej këtyre kategorive përfituese të shportave ushqimore falas janë: familjet/individët në nevojë, të cilët janë të pastrehë; familjet/individët që kanë humbur banesën për shkak të tërmetit; familjet/individët në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike të cilët nuk kanë asnjë të ardhur tjetër përveç ndihmës ekonomike apo të cilët kanë mbi 5 anëtarë, 3 nga të cilët nën 18 vjeç”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se “dërgimin e produkteve ushqimore dhe jo ushqimore falas në shtëpi e përfitojnë edhe familjarë ose individë në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike nga bashkitë, do të përfitojnë”.

Subashi tha se “ndihmat e tjera janë shpërndarë për ato familje që nuk përfshihen në këto kategori, por që janë në gjendje të vështirë ekonomike”./m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.