Shkodra, qarku i dytë më i prekur nga COVID-19, Lamallari: Qytetarët të bashkëpunojnë në respektimin e masave

TIRANË, 13 prill/ATSH-A. Fortuzi/-Çdo qytetar duhet të bëhet pjesë e zgjidhjes së situatës duke zbatuar masat e sigurisë dhe duke mbrojtur  kështu shenjtërinë e jetës, pasi këto masa janë në të mirë të shëndetit të gjithësecilit dhe nuk janë për Policinë apo Ushtrinë.

Besfort Lamallari, zv.ministër i Brendshëm, i komanduar për të menaxhuar situatën në qarkun e Shkodrës, i shoqëruar nga Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, mëngjesin e të hënës ka inpsektuar zbatimin e masave të sigurisë për mospërhapjen e COVID-19, duke qenë se Shkodra u kthye në një qark problematik sa i takon pandemisë së koronavirusit të ri, i dyti pas Tiranës për nga numri i të infektuarve nga COVID-19.

“Qytetarët duhet të zbatojnë masat e sigurisë, të cilat janë për efekt të ruajtjes së shëndetit dhe shenjtërisë së jetës për të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet dhe për njereëzit e tyre të dashur”,- theksoi Lamallari.

“Ju lutem, ju lutem, ju lutem respektoni këto masa, pasi nuk janë masat e Policisë apo ushtrisë dhe nuk janë as bashkisë apo qeverisë, por janë masat për shëndetin dhe jetën tuaj dhe vetëm bashkëpunimi me ju do të garantojë që edhe Shkodra do të ketë trend ulës për përhapjen e COVID-19”,- tha Lamallari.

“Jemi të angazhuar për të siguruar që masat të jenë në terren, por përtej masave, sanksioneve, këshillimeve është e nevojshme që të çdo qytetar i Shkodrës të tregojë nivelin e lartë të qytetarisë duke respektuar këto masa që janë për efekt të ruajtjes së shëndetit dhe jetës. Mbi të gjitha është përgjegjësia e qytetarëve që masat të respektohen. Ju lutem respektoni këto masa, nuk janë masat e policisë dhe ushtrisë, por janë masat për jetën dhe shëndetin tuaj. Vetëm bashkëpunimi juaj do të garantojë që edhe Shkodra do të ketë një trend ulës sa i përket personave të infektuar. Me këtë armik nuk bëhet shaka, mund të prekë të gjithë, për disa pasojat janë fatale, për disa të tjerë mjafton që janë përcjellës të kësaj sëmundjes. Respektoni distancën, respektoni nevojën për të dalë sipas parashikimeve”,- u shpreh zv.ministri Lamallari.

“Ajo që ne po insistojmë është të kemi bashkëpunimin e qytetarëve. Edhe masat janë në varësi të trendit aplikohen dhe përshtaten.  Bashkëpunimi i të gjitha institucioneve është kyç, secili ka përgjegjësitë e veta. Por është roli i qytetarëve që do të garantojnë që edhe Shkodra do të ketë një trend të mbajtur në kontroll. Ajo që unë do të bëj ndryshe është të garantojmë zbatimin e këtyre masave, t’u bëjmë thirrje me të gjitha mënyra qytetarëve që ata të ndërgjegjësohen dhe të zbatojnë këto masa për shëndetin tyre.”,- tha Lamallari.

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u shpreh se masat janë në funksion të sigurisë dhe nuk janë në dëmë të qytetarëve. “Aplikimi i masave është për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe qëllimi nuk është vendosja e gjobës ndaj tyre, por ndërgjegjësimi i atyre që i shkelin rregullat”,- theksoi Veliu.

Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade, Bardhyl Kollçaku, u shpreh se prania e tij në Shkodër është si nevojë e përforcimit të bashkëpunimit mes institucioneve për të garantuar që qytetarët në Shkodër të zbatojnë rigorozisht masat e vendosura nga qeveria.

Në qarkun e Shkodrës, sipas “Coronavirus.al” mësohet se janë identifikuar si të prekur me COVID-19, 62 persona, prej të cilëve 1 ka humbur jetën dhe 13 janë shëruar. Po ashtu sipas statistikave, rezulton se nga 48 rastet ende aktive në Shkodër, 43 janë të vetë izoluar në banesë, ndërsa 5 janë në trajtim spitalor, por jo në terapi intensive. Në Shkodër janë realizuar në total 291 teste dhe është qarku i dytë më i prekur në vend pas Tiranës, që numëron 227 raste në total, 117 prej të cilëve të shëruar, ndërsa fatkeqësisht 15 persona kanë humbur jetën.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.