Rrjet ekspertësh për përballimin e pasojave ekonomike/ Sot halli i halleve që na bashkon të gjithëve mbrojtja e jetës në familjet tona

TIRANË, 13 prill/ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, i kupton hallet e qytetarëve, por sot “halli i halleve” që na bashkon të gjithëve dhe prej të cilit askush nuk shpëton dot i vetëm, është mbrojtja e jetës në familjet tona dhe mbrojtja e Shqipërisë nga një katastrofë humanitare.

“Të gjithë jemi në hall, çdo familje apo ndërmarrje e vogël apo e madhe është në hall. Qeveria është në hall. Luftërat nuk vijnë për të na i zgjidhur, por vijnë për të na i shtuar hallet, të gjithëve pa përjashtim. Në këtë luftë të hatashme me një armik të padukshëm askush nuk e ka një zgjidhje për gjithçka. Askush nuk e ka një përgjigje për çdo dilemë dhe kur dilemat janë të forta. Askush nuk e di me siguri se kur është fundi, askund, as në vendet më të fuqishme edhe më të ditura të planetit”, – tha Rama.

“Ne shqiptarët që kemi një vend të vogël dhe jo me pak halle edhe pa këtë luftë nuk mund  dhe nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast gjënë më të qartë të kësaj lufte. Sot halli i halleve që na bashkon të gjithëve dhe prej të cilit askush nuk shpëton dot i vetëm, është mbrojtja e jetës në familjet tona dhe mbrojtja e Shqipërisë nga një katastrofë humanitare. Hallet e tjera janë të rëndësishme sa të duash, por të gjitha bashkë po t’i mbledhësh nuk janë aq të mëdha, sa halli që mund të kishim, dhe mos e dhëntë Zoti, mund të kemi, nëse nuk funksionon zinxhiri i solidaritetit dhe unitetit tonë kombëtar, i cili deri këtu e ka penguar armikun e padukshëm të bëjë ato kërditë që po bëhen lart e poshtë nëpër Europë dhe botë dhe që i shohim qysh prej fillimit, ditë për ditë, të gjithë”, – u shpreh Kreu i Qeverisë.

“Unë, – theksoi Rama, – sot jam shumë në merak, jam shumë shumë në merak, sepse e lexoj, e dëgjoj, e ndiej se shumëkush po mendon gabimisht se ia hodhëm. ‘Hapi punët se po vdesim’ – thonë disa, ‘hapi rrugët se po plasim’ – thonë disa të tjerë. ‘Na liro, se ti nuk je Zoti, s’je Allahu’, ‘o i tillë, o i atillë’ – thonë disa të tjerë që lëshojnë dhe sharje e mallkime pafund”.

“E vërteta është se në fakt kemi hyrë në një fazë që është shumë delikate, ku rreziku jemi më shumë ne vetë tani, sesa ç’është ky armiku që po luftojmë. Ne sot jemi një rrezik potencial i vetvetes. Sulmi armik nuk na zuri dot në befasi, nuk na i mbushi dot spitalet me të plagosur. Nuk na futi dot, deri sot që flasim, në atë vallen e frikshme të vdekjes, ku arriti të fusë dhe vende shumë të fuqishme të këtij globi. Ndërsa sot shansin e fundit për të na bërë gjëmën armiku ka pikërisht dobësinë njerëzore, që shumëkujt ndër ne nga padija, nga mendjelehtësia, nga humbja e durimit, mund të na nxisë të bëhemi pa dashje aleati i munguar i tij deri tani”, – tha Rama.

“Unë e di dhe besomëni që e di, por dhe e vuaj dhimbjen tuaj, dhimbjen e familjeve që kanë më shumë halle se të tjerat. Dhimbjen e prindërve që nuk sjellin dot në shtëpi të ardhurat nga puna. Dhimbjen e atyre që kanë mbetur matanë kufijve, që nuk kthehen dot në shtëpi. E ndjej deri në palcë dhimbjen e gjithkujt ndër ju që nuk ia del dot të qetësohet, ndërkohë që çdo ditë dita bëhet më e gjatë, sepse mundi duket më i madh dhe durimi që duhet, duhet më i madh”.

Por, tha Rama, “unë di dhe tjetrën që dua të ndaj me ju, që detyra ime në këtë kohë është të mbyll veshët dhe të mos i dëgjoj ‘sirenat joshëse’ që thonë ‘hajde hapemi’, ‘hajde kthehemi në normalitet’, ‘hajde ta sfidojmë armikun që nuk ka se çfarë na bën’, ‘vazhdojmë jetën tonë’ – aq më tepër që tani ka dalë dhe ky dielli joshës i pranverës. E provuan në fakt dhe disa të tjerë shumë më të mëdhenj, shumë më të fuqishëm se ne që ranë pre e atyre sirenave dhe sot shikoni se si janë zhytur në një vorbull infektimi dhe vdekjesh, nga ku ende nuk po nxjerrin dot kokën në sipërfaqe”.

Kryeministri Rama deklaroi sot se, që në momentin e parë është ngritur një rrjet ekspertësh, vendas dhe të huaj për të bërë më të mirën në përballimin e pasojave që kjo situatë sjell mbi më të prekurit, por dhe mbi ekonominë kombëtare.

Ai theksoi se, duhet të gjithë ta kuptojmë se nuk mund t’i shpenzojmë menjëherë të gjitha municionet, se nga kjo luftë mund të dalim të dëmtuar, por në asnjë mënyrë nuk mund të dalim të shkatërruar.

“Është e vërtetë që ne e kemi kaluar për mrekulli deri këtu, atë hallin e halleve, që është mbrojtja e jetës. Nuk numërojmë dhjetëra të vdekur në ditë, por shohim përditë sesi kurba e infeksionit në Shqipëri mbahet nën kontroll më mirë se në shumicën e vendeve të Europës. Nuk shohim gjëkundi të na mungojnë shtretërit e spitaleve dhe të na vdesin njerëzit tanë të dashur, larg qoftë sepse i mungon respiratori. Nuk kemi asnjë humbje jete në bluzat e bardha dhe nuk kemi as kufoma që s’kemi ku i varrosim, si për fat të keq, kanë ndodhur dhe ndodhën vende shumë më të mëdha se ne”, – tha Rama.

Dhe kështu, theksoi Rama, “po na duket sikur kjo është dytësore dhe i përjetojmë edhe më shumë dhimbjet nga pasojat e luftës, në kushtet kur dhimbjen nga shkaku i saj nuk e kemi aq të fortë, sa ç’e kanë sot shumë e shumë popuj të tjerë. Por detyra ime është të mos e ngatërroj patjetër dhimbjen aspak të vogël nga pasojat, dhimbjen në jetën e përditshme, dhimbjen në ekonominë e vogël familjare, me shkakun e vërtetë të këtij qëndrimi të fortë, kokëfortësisht në mbrojtje që kemi zgjedhur dhe që po mbajmë”.

“E di dhe është shumë e vërtetë që ky qëndrim i fortë në mbrojtje e cenon lirinë e qytetarëve, e cenon ndjeshëm ekonominë e familjeve shqiptare edhe ekonominë tonë kombëtare patjetër e cenon në mënyrë të konsiderueshme. Ama mos e harroni, por dhe po e harruat ju unë nuk kam të drejtë ta harroj dot: Liritë do të kthehen sapo ta fitojmë këtë luftë, ekonomia do të ringrihet sapo ta mbarojmë këtë luftë, por të vdekurit nuk i ngjallim dot nesër, nëse sot e tradhëtojmë kauzën e mbrojtjes së çdo jete me çdo kusht”, – theksoi Rama.

Unë e di mirë dhe nuk e harroj aspak asnjë çast që është gjithashtu detyra ime të bëj gjithçka për ta lehtësuar sadopak dhimbjen e pasojave të luftës për të gjithë ata që janë prekur ndjeshëm në ekonominë e tyre familjare. Dhe ju duhet ta dini mirë se asgjë që është e mundur nuk e kemi lënë dhe nuk do ta lëmë pa bërë, që çdo njeri dhe çdo familje të mos mbetet kurrë vetëm në këtë luftë, ku sfida është të fitojmë duke ekzistuar dhe ku mundësia nuk është të jetojmë sikur asgjë s’ka ndodhur”, – u shpreh Rama.

“Asgjë nuk kemi kursyer dhe asgjë nuk do të kursejmë t’ua lehtësojmë frymëmarrjen atyre, të cilët janë më të prekur në ekonomitë e tyre familjare si pasojë e kësaj që po ndodh. Po pyeteni pak veten, cili do ishte ai kryeministër, i cili nuk do të donte që të jepte gjithçka që ju duhet atyre që udhëheq që të mos ta ndjejnë fare gjithë këtë stress të madh. Nuk ekziston një i tillë. Më besoni, që siç kemi ngritur një rrjet ekspertësh tanët dhe të huaj për të përballuar luftën nga pikëpamje shëndetësore, çka shpjegon dhe suksesin që kemi arritur deri tani, të gjithë së bashku padyshim, po ashtu kemi ngritur qysh në momentin e parë një rrjet ekspertësh, tanët dhe të huaj për të bërë më të mirën në përballimin e pasojave që kjo situatë sjell mbi më të prekurit prej jush, por dhe mbi ekonominë tonë kombëtare.

“Më falni t’ju rikujtoj çfarë ju kam thënë dhe stërthënë qysh prej ditës së parë dhe në vijim. Duhet dhe do të bëjmë çmos që askujt të mos i mungojë ajo ndihma e domosdoshme jetike. Por duhet të gjithë ta kuptojmë dhe ta kuptojnë se nuk mund t’i shpenzojmë menjëherë të gjitha municionet. Se ja ku jemi sot, lufta vazhdon dhe nuk e dimë sa do zgjasë, dhe nga kjo luftë mund të dalim të dëmtuar por, në asnjë mënyrë nuk mund të dalim të shkatërruar”, – u shpreh Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.