“Politikanët rrënimtare të shëndetësisë të heshtin në këto kohë kovidiane”/ Kalo: Akuzat politike s’duhet të zbehin profesionalizmin e mantelbardhëve

TIRANE, 13 prill/ATSH/ Mjeku i njohur Tritan Kalo deklaron se “epidemitë kanë rrënuar dhe po rrënojnë shtete e sisteme të tëra, ndaj duhet të jemi kurdoherë të përgatitur për t’u përballur me to.

Kalo thekson se politikanët rrënimtarë të shëndetësisë publike, duhet të heshtin në këto kohë kovidiane.

“Jo dhe vetëm jo partitizmit, militantizmit dhe politikëbërjes së pabuktë e asfiksuese të mbrothësimit të vendit… Po dhe vetëm po, në çdo moment profesionalizmit, përkushtimit dhe humanizmit të mantelbardhëve. Politikanët rrënimtarë të shëndetësisë publike të pas 31 marsit 1991 të të dy krahëve të politikës, si dhe ata drejtues jovizionarë të QSUT “Nënë Tereza” të pas 1993, së paku duhet të heshtin në këto kohë kovidiane”, deklaron mjeku i njohur.

Ai thekson se “ishin medikotriteti dhe partitizmi i tyre, ato që e dëmtuan në themel strukturën mirëfunksionale në aspektin epidemiologjik dhe jo vetëm, të të vetmit Shërbim Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në Shqipëri, atë që njihej para viteve 1990 si Spitali Infektiv nr. 4″.

“Politikanët tanë në këto 30 vitet e fundit, shpesh njëlloj si edhe pulat e kanë futur “sqepin e tyre në të njëjtin ushqim”, duke prodhuar më pas politika jo të mbara, aromëmbytëse dhe rrënuese së paku për Lëmin e Përkujdesjes dhe Ndjekjes së të sëmurëve me Sëmundje Infektive, sektor në të cilën unë kontribuoj që prej 2 korrikut 1981… Sot me ndërhyrjet që po bëhen, edhe pse disi të vonuara e të cilat duhen shpënë më tej, shpresoj se do të bëhet e mundshme që jo larg në kohë, të korrigjohen këto ndërhyrje të gabuara, si dhe të bëhet e mundur që Shërbimi Kombëtar i Sëmundjeve Infektive të plotësohet me të gjithë infrastrukturën e nevojshme të funksionalitetit të tij… Profezionalizmi kurdoherë duhet të prevalojë mbi politizmin në shëndetësi… Së bashku me ju bashkëkombasit e mi, shpresoj se do ja dalim mbanë edhe në përballjen me COVID-19!!!”, deklaron mjeku Kalo. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.