Korçë/ Parkut “Rinia” i shtohet me 3000 m2 sipërfaqe e gjelbër

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Parkut “Rinia” në Korçë i shtohet sipërfaqja e gjelbëruar me pemë dekorative dhe sistem bashkëkohor vaditjeje, që siguron mirëmbajtjen e shëndetshme të hapësirave të gjelbëruara.

Bashkia Korçë njoftoi se në kushtet e masave mbrojtëse kundër COVID-19, punonjësit  e sektorit të shërbimeve po punojnë për mbjelljet e reja të pemëve, duke bërë që të ketë më shumë gjelbërim në parkun Rinia këtë pranverë.

3000 m2 sipërfaqe e gjelbër, 100 pemë dekorative dhe rrjet vaditës në formë shiu të shtuara në një prej hapësirave më të bukura në qytet.

“Tani qëndrojmë në shtëpi për ta shijuar të shëndetshëm parkun pas izolimit”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Parku i Korçës me një shtrirje prej 100 mijë metrash katrorë, është i veçantë sa i përket shumëllojshmërisë së drurëve dhe bimësisë. Është krijuar mbi 60 vjet më parë për të qenë mushkëria e Korçës në veriperëndim të qytetit dhe frekuentohet nga dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme.

Falë investimit madhor për rehabilitimin e tij, ky park është shndërruam në pjesën e gjelbër të Korçës në një park model me standarde europiane me qëllim që të jetë sërish dhe vetëm në funksion të qytetarëve.

e.xh/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.