Gjirokastër/ Rehabilitohet linja e ujit të pijshëm në fshatin Arshi Lengo

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Banorët e lagjes së re të fshatit Arshi Lengo në Gjirokastër nuk do të përballen më me pasigurinë e furnizmit me ujë të pijshëm.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Gjirokastër bën të ditur se “fundjava rezervoi një punë kolosale në rehabilitimin e linjës përcjellëse të ujit të pijshëm në fshatin Arshi Lengo”.

“Banorët e lagjes së re të këtij fshati pjesë e Bashkisë Gjirokastër, prej ditës së djeshme, nuk do të përballen me pasigurinë e furnizimit me ujë të pijshëm. Gjithçka u zgjidh falë përkushtimit të punonjësve tanë në terren”, – tha UK Gjirokastër.

Sipas kësaj ndërmarrje, qëllimi i punës së tyre është përmbushja e kërkesave të konsumatorëve me furnizim cilësor me ujë.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Gjirokastër është në gatishmëri për t’iu përgjigjur edhe në këtë situatë emergjente, komunitetit për të pasur furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, si dhe mjedis të sigurtë dhe të garantuar./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.