COVID-19 – Zelensky: Një milion dollarë shpërblim për gjetjen e vaksinës

KIEV, 13 prill /ATSH-AFP/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka premtuar një shpërblim prej një milion dollarësh për shkencëtarët vendas që do të kenë sukses në zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit, tha sot zëdhënësja e tij.

“Kreu i shtetit konsideron se një milion dollarë është një nxitje e mirë, nëse mund të gjejmë një ilaç që shpëton qindra mijëra jetë”, tha zëdhënësja e presidentit, Youlia Mendel, në një deklaratë.

Ukraina ka aplikuar një karantinë të rëndë që nga mesi i marsit për të parandaluar përhapjen e virusit.

Qeveria ka mbyllur shkollat, universitetet, hapësirat publike, shumicën e dyqaneve dhe transportin publik, përveç mjekëve dhe profesionistëve të tjerë në sektorë thelbësorë.

Autoritetet, gjithashtu, e kanë bërë të detyrueshme vënien e maskave ​​jashtë.

Ukraina deri më tani ka regjistruar 3 102 raste infektimi me COVID-19, nga të cilat 93 kanë qenë fatale./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.