Thyen orarin e karantinēs duke luajtur futboll, masë administrative për 10 persona

TIRANË, 12 prill/ATSH-A. Fortuzi/- Policia e Vlorës njofton se ka marrë masë administrative për 10 persona, që u kapën duke thyer orarin e karantinēs dhe duke luajtur futboll në një fushë në pyllin e Sodës, Vlorë.

Po ashtu sipas Policisë, karantinohen për 14 ditë, të 10 personat që u kapën duke luajtur futboll, të cilët do të mbahen nën mbikëqyrje nga ana e Policisë.

“Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullohet nga detyra Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Komisar R. P., njëri nga pjesëmarrësit që luante futboll”,- njofton Policia.

“Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimi disiplinor për shkelje të rëndë, si dhe u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të Policisë G. F., për mospërmbushje apo dështim në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara, pasi konstatoi personat dhe nuk mori masë administrative ndaj këtyre shtetasve. Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe apelon edhe njëherë për qëndrim në banesë dhe respektim të masave kufizuese, duke bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19”,- përfundon njoftimi i Policisë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.