SHBA – Reduktohet me 30% ndotja e ajrit për shkak të masave kundër COVID-19

NJU JORK, 12 prill /ATSH-AA/ – Për shkak se një pjesë e madhe e amerikanëve po qëndrojnë në shtëpi si pasojë e pandemisë COVID-19, ndotja e ajrit në qytetet e mëdha është zvogëluar me 30%.

Sipas të dhënave satelitore të Qendrës së Fluturimeve Hapësinore “Goddard” të publikuara në faqen e internetit të NASA-s, në metropolet në verilindje të SHBA-së, në muajin mars është regjistruar një rënie me 30% e nivelit të ndotjes nga dioksidi i azotit, krahasuar me mesataren e katër viteve të fundit.

Zyrtarët e NASA-s, duke theksuar se dioksidi i azotit buron nga karburanti fosil i konsumuar për transport dhe prodhimin e energjisë, thanë se ulja e ndotjes së ajrit është tregues i ndryshimit të aktivitetit njerëzor për shkak të pandemisë.

Megjithatë, zyrtarët theksuan se kjo rënie në Boston, Nju Jork dhe Uashington DC është e përkohshme dhe të dhënat mund të kthehen si më parë nëse shfuqizohet urdhri për qëndrimin në shtëpi. / /sara/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.